Kapaciteti i Bovillës do shtohet me 30%

316

Bashkia e Tiranës do të rrisë investimet për modernizimin e rrjetit dhe shërbimin e furnizimit me ujë të qytetarëve, pa rritur çmimin e tij. Këtë tha sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë analizës vjetore të ndërmarrjes Ujësjellës-Kanalizime, e cila u zhvillua në Bovillë. Ai theksoi se për herë të parë gjatë vitit 2016, UKT-ja doli me fitim, duke krijuar më shumë mundësi për investime, pa prekur çmimin e ujit.

Për të rritur edhe më tej performancën e kësaj ndërmarrje, si dhe shërbimin ndaj qytetarëve, kryebashkiaku ka kërkuar nga drejtuesit dhe punonjësit e UKT-së që të vazhdojnë me ritmin që dëshmuan gjatë 2016. “Është lajm shumë i mirë që kemi rritur të ardhurat me 18%, është lajm shumë i mirë që kemi rritur abonentët me 26 mijë. Sot, ardhja në Tiranë nënkupton edhe integrimin në rrjetin e Tiranës, jo vetëm rrjetin me ujë, por edhe në atë financiar dhe të pagesave, me një kod qytetar ku operojmë me rregulla dhe me standard shumë më të lartë se pjesët e tjera të vendit. Do të doja që projekti i leximit elektronik të matësve të vazhdonte ta bënte kompaninë më inteligjente. Sot, leximi elektronik i faturës, jo vetëm e ka bërë Ujësjellësin më të ndershëm, por i ka dhënë garanci çdo qytetari që të ketë mundësi të verifikojë skedën e vet”, tha Veliaj.

Një nga investimet më imediate që do të bëjë Bashkia është ajo në impiantin e Bovillës, e cila do rrisë kapacitetin e furnizimit me ujë të Tiranës me afro 30%. Veliaj shtoi se në kuadër të Planit të Përgjithshëm Vendor është e nevojshme që të realizohet një masterplan edhe për ujin, në mënyrë që të përcaktohen zonat se ku duhet të jenë investimet më të mëdha për të shmangur çdo investim të gabuar.