Këshilla/ Si të pastroni shtëpinë dhe të largoni alergjitë fare lehtë

29

Shtëpia apo ambienti i punës ka një ndikim të fortë në mirëqenien fizike dhe mendore të njeriut. Studimet tregojnë se dhomat me hapësirë dhe ndriçim natyral përmirësojnë shëndetin e njerëzve që vuajnë nga ankthi dhe depresioni.

Këto vende kanë potencialin të nxisin ose të shuajnë stresin, i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë tek jetëgjatësia dhe shëndeti.

Shtëpia ka potencialin të kthehet në një burim bakteresh, pluhurash e alergenësh që shkaktojnë probleme shëndetësore. Le të marrim rastin e alergjive.

Njerëzit që vuajnë nga alergjitë, sidomos ato ndaj pluhurit, kanë nevojë për një higjenë të jashtëzakonshme në shtëpi.

Ekspertët thonë se pasja e një shtëpie jo-alergjike është një stil revolucionar jetese dhe kërkon daljen nga kornizat e mobilimit të shtëpisë.

Hiqni Tapiceritë

Po, e lexuat saktë. Perdet, qilimat, tapetet, rrugicat e çdo copë a rreckë e panevojshme është kurth për pluhurat. Këto janë një kombinim i pisllëkut, qelizave të vdekura të lëkurës dhe baktereve.

Nëse ju keni shumë rraqe e rrangulla në shtëpi, atëherë keni krijuar strehën më të mirë për pluhurat.

Heqja dorë nga tapiceritë do të pakësojë ndjeshëm depozitat e pluhurit në shtëpinë tuaj. Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të përdorni fshesën me vakum rregullisht, jo vetëm në dysheme por edhe në parket.

Sa i përket këtyre të fundit, zgjidhni gjithmonë dru të vërtetë, sepse çdo lloj apo material tjetër çliron në ajër gazra toksikë. Materialet e ndërtimit, duhani, freskuesit e ajrit, solucionet e pastrimit, aromatizuesit e ambientit e shumë syresh çlirojnë në ajër kimikate të dëmshme për shëndetin.

Aromatizues dhe pastrues ajri nuk duhen përdorur. Solucionet e pastrimit duhet të qëndrojnë në një ambient të veçuar dhe vetëm kështu do të mund të keni një shtëpi krejt pa toksina. Një gjë e tillë është revolucionare për disa dhe e pamundur, në mos luksoze, për shumë të tjerë.