KËSHILLA/ Si të rifitoni ekuilibrin punë-jetë

16

Ka disa mënyra se si mund të rifitoni ekuilibrin punë-jetë, pa e dëmtuar biznesin tuaj.

Fokusimi

Pronarët e bizneseve të vogla duhet të bëjnë gjithҫka vetë, nga takimet me klientët, deri te azhornimi i faqes së tyre të internetit dhe respktimi i afateve të rëndësishme tatimore. Megjithëse ka shumë aktivitete të biznesit që janë kritike, jo të gjitha janë njësoj të rëndësishme.

Filloni duke rishikuar listën tuaj të detyrave dhe pyesni veten, a do të ndodhë diçka e keqe nëse nuk e përfundoni këtë detyrë? Nëse përgjigjja është jo, atëherë ka shumë mundësi që kjo punë të ketë një prioritet më të ulët.

Delegimi

Identifikoni se cilat detyra mund të kryhen nga dikush tjetër dhe delegoni nëse:

  1. a) nuk keni kualifikimet e duhura teknike për ta përfunduar këtë detyrë në një mënyrë sa më efikase;
  2. b) kjo punë do t’ju pengonte që të fokusoheshit te aktivitetet e tjera që kanë më shumë vlerë.

Shumë sipërmarrës mendojnë se delegimi nuk është një opsion nëse ata nuk kanë ndonjë të punësuar tjetër. Megjithëse është e vërtetë se mbi 80% e të gjitha bizneseve të vogla nuk kanë punonjës të tjerë, ju mund të punësoni ekspertë ose kontraktorë të jashtëm për të bërë këto detyra, sipas projekteve specifike.

Fokusimi te detyrat një nga një

Përcaktoni 30 deri në 90 minuta në kohën tuaj dhe plotësoni të gjitha detyrat që janë të ngjashme me njëra-tjetrën. Duke ndjekur këtë mënyrë, do të zbuloni se po bëni shumë më tepër punë në më pak kohë.

Motivimi

Nëse keni humbur motivimin tuaj, veçanërisht kur bëhet fjalë për detyra të lodhshme, motivojeni veten thjesht që të filloni të merreni me atë detyrë. Kjo, shpesh, është pjesa më e vështirë.

Një strategji që mund të përdorni është duke vendosur një kohëmatës për 15 minuta. Jepini vetes mundësinë për të ndaluar me punën kur të ndalojë edhe kohëmatësi. Në shumicën e rasteve, do të zbuloni se nxitja që keni marrë në këtë kohë të shkurtër do të jetë e mjaftueshem për t’ju bërë që të përmbushni të gjithë detyrën.

Optimizimi

Meqenëse shumë biznese të vogla bëhen nga shtëpia, sigurohuni që mjedisi i punës të jetë i favorshëm për t’ju bërë që të përfundoni sa më shumë punë.

Të punosh në tryezën e kuzhinës, me fëmijët përreth, nuk është mënyra më e mirë për të arritur produktivitetin. Përpiquni të krijoni një hapësirë që është tërheqëse, por edhe që ju ndan nga aspektet e tjera të jetës suaj.

Minimizimi

Nëse shpërqendroheni vazhdimisht nga vibrimet e telefonit apo nga njoftimet që ju vijnë në ҫdo cep të ekranit tuaj, fikini ato ose vendosini në një vend që nuk do t’ju bezdisin. Shpërqëndrimi nuk vjen gjithmonë nga teknologjia. Edhe gjëra të tilla si pirgjet e mëdha të letrës në tryezën tuaj, apo një fqinj i zhurmshëm, mund t’jua bëjnë të vështirë të përqendroheni.

Automatizimi

Mendoni cilat janë punët e përsëritura që kërkojnë shumë kohë për t’u përfunduar. A ka ndonjë program apo software që mund t’ju vijë në ndihmë për t’i bërë ato automatikisht? Ka shumë automatizime që mund të aksesohen nga mjetet e përditshme si Microsoft Outlook, Google Docs ose Smartsheet.

Të dini kur të ndaloni

Nuk do të keni kurrë aq orë sa do të dëshironit gjatë ditës dhe lista e detyrave do të jetë ende aty, duke ju pritur edhe të nesërmen. Në mënyrë të pashmangshme, herë pas here, do t’ju duhet të punoni deri në mesnatë, por kjo nuk duhet të kthehet në një zakon.

Gjetja e kohës për t’u qetësuar apo për të kaluar disa ҫaste me miqtë mund të ketë përfitime të mahnitshme në aftësinë tuaj për të qenë produktiv. / Entrepreuner