Ngricat dhe acari mund të kenë efekt shkatërrues për disa bimë të caktuara që mbahen në shtëpi, ballkon apo kopësht. Mbrojtja e këtyre bimëve kërkon vigjilencë dhe informacion të përditësuar për kushtet e motit.
Mbrojtja më e mirë është në varësi të kohëzgjatjes së ngricës por edhe llojit të bimës që zotëroni. Më poshtë do të mësoni për këshillat praktike për mbrojtjen e bimëve në rast se temperaturat bien nën 0 gradë ose më poshtë.
Këshillat e mëposhtme janë afat-shkurtra por u japin bimëve forcën e duhur për të mbijetuar gjatë një nate apo një periudhe të caktuar acari.
Ujitja
Dheu i lagësht ruan ngrohtësinë më gjatë dhe më shumë se dheu i thatë, ndaj ujitja është një mënyrë e duhur. Për më tepër, ju mund të përdorni solucione kopshtarie që i ndihmojnë gjethet të ruajnë lagështinë aq të nevojshme gjatë dimrit.
Mbulimi
Ju mund t’i mbuloni bimët me çarçaf, batanije apo edhe peshqirë që ato të ruajnë nxehtësinë. Për më thjeshtë, mund të përdorni një qese të trashë plastike për të mbuluar vazot duke u siguruar që qesja nuk e prek bimën sepse çdo gjethe që prek plastikën do të ngrijë.
Ndiz Dritat
Dritat e Krishtlindjeve mund të varet në bimë apo pemë të mëdhaja sepse një llambushkë 100 vatëshe do të çlirojë nxehtësi që përthithet nga bima. Sigurohuni që llambushkat të mos jenë LED sepse ato nuk përçojnë nxehtësi.
Zhvendosi Vazot
Në varësi të bimëve, ju mund të grumbulloni vazot në një vend të caktuar, kryesisht pranë një muri me drejtim nga jugu ose perëndimi në mënyrë që të ruajnë ngrohtësinë për më gjatë.
Në mbrëmje, sigurohuni që vazot e bimëve t’i fusni brenda shtëpisë. Nëse keni në kopësht pemë apo fidanë të brishtë e të parritur plotësisht, mbështillini trungjet me batanije që të rrinë ngrohtë.