Koleksioni i rrallë i ikonave të artit bizantin e postbizantin shqiptar ekspozohet në Paris

139

Ekspozita “Dritare në Artin Mesjetar Shqiptar”, u cel sot në Paris me rastin e 60- vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në UNESCO.

Kjo ekspozitë në Paris, në sallën Miro, përbën një rrugëtim në historinë e pikturës bizantine dhe pas bizantine të zhvilluar në territorin shqiptar dhe fton publikun e gjerë dhe studiues të fushës në një eksperiencë të rrallë në njohjen e mjeshtërve eponim dhe anonim si dhe atelieve më të spikatura të kohës, nëpërmjet veprës së trashëguar prej tyre.

Përtej interesit vizual dhe qëllimit artistik që konsiston në ilustrimin e fazave të pikturës ekleziaste, boshti kryesor në përzgjedhjen e ikonave është paraqitja e aspekteve të realitetit të përditshëm të shoqërisë së kohës, idetë dhe shqetësimet që përshkonin marrëdhëniet njerëzore, apo dhe dimensione të tjera – pjesë e jetës materiale – si civilizimi, veshja, duke i konvertuar ato në koncepte të drejtpërdrejta për t’u kuptuar nga vizitori. Në një këndvështrim më të gjerë, ekspozita kontribuon në kuptimin e ndikimit që ushtroi Civilizimi Bizantin në popujt e tjerë të botës mesdhetare, duke dëshmuar vazhdimësinë e kësaj tradite kulturore dhe estetike në pikturën religjioze edhe pas rënies së Kostandinopojës në vitin 1453 dhe vendosjes në Ballkan të turqve osman.