Kriteret dhe afatet/ Hapen aplikimet për pranimin e të rinjve në Akademinë e Sigurisë

28

Shpallen aplikimet për pranimin në Akademinë e Sigurisë për studentë që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë me mesatare të notave mbi 8, për disa degë të caktuara.

Policia njoftoi të martën se, me qëllim plotësimin e funksioneve të lira organike dhe përzgjedhjen me barazi, paanshmëri dhe transparencë të kandidatëve më të mirë, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës e mosdiskriminimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përcaktuar kriteret për rekrutimin e studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.

Aplikimet bëhen pranë Drejtorisë Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm dhe përfundojnë më datë 20 gusht 2020. Dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

Kuotat e pranimit në Policinë e Shtetit janë për të rinj që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë në shkenca juridike, ekonomike dhe kompjuterike.

Kriteret e përgjithshme për pranimin e këtyre kandidatëve në Akademinë e Sigurisë: të jenë shtetas shqiptarë; të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil; të kenë zotësi të plotë për të vepruar; të mos kenë shenja të dukshme (tatuazh) në pjesët që nuk mbulohen nga uniforma verore e Policisë; të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht për të kryer detyrën; të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundërvajtjeje penale me dashje; të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie; të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;

Ndërsa kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë aplikantët për t’u pranuar në këtë cikël janë: të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë): të jenë nën moshën 30 vjeç; të kenë mesataren e cikleve të studimit mbi “8”; të jenë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat; të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT.

Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit, të cilat janë: vlerësimi sipas notës mesatare, e cila përfitohet nga llogaritja e mesatares së dy cikleve në të njëjtën fushë studimi; vlerësim me testim i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT; intervistimi i aplikantëve; kontrolli shëndetësor; marrja e shenjave të gishtave; verifikimi përfundimtar i aplikantit.

Ky është kursi i tretë në kuadër të hapjes së aplikimeve nga Policia e Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit ftojnë dhe nxitin të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.