Kulla laps, shihni fotot e qiellgërvishtësit më të hollë në botë

42

Qiellgërvishtësi më i hollë në botë tashmë ka përfunduar dhe i shtohet godinave ikonë të Manhatanit, për të cilat lagjja e Nju-Jorkut është bërë e famshme në botë.

Kulla “Steinway”, e ngritur ngjitur me Central Park, ka një raport lartësi-gjerësi 24:1, duke u bërë në këtë mënyrë godina më “skilipece” në botë.

Ajo është edhe një prej kullave më të larta në hemisferën perëndimore (435 metra), duke u renditur vetëm pas godinës së Qendrës Tregtare Botërore 1, që është 541 metra e lartë dhe Kullës “Central Park”, që është 472 metra. Godina e veçantë përmban 60 apartamente, të ndarë në 84 kate. Ajo është projektuar nga studio arkitekturore njujorkeze “SHOP Architects”. Punimet për të nisën në vitin 2013.

Qiellgërvishtësit e hollë, të njohur edhe si “kulla laps” u përhapën fillimisht në Hong-Kong, në vitet 1970. Që prej asaj kohe, qytete të ndryshme në botë kanë përvetësuar modelin.

Çmimet për të siguruar një pjesë të kësaj mrekullie arkitekturore variojnë nga 7,75 milionë dollarë për një apartament garsoniere, deri në 66 milionë dollarë për papafingon.