Kur është futur për herë të parë elementi i njohjes nga të verbrit në kartëmonedhat shqiptare?

45

Elementi i njohjes nga të verbrit në kartëmonedhat shqiptare është futur për herë të parë në emisionin e vitit 1996, i cili përbëhej nga prerjet: 100, 200, 500, 1000 dhe 5000 Lekë. Në krahasim me emisionet e mëparshme, ky emision përmbante elemente të shtuara sigurie, duke rritur ndjeshëm besueshmërinë ndaj parasë shqiptare dhe duke e bërë atë më të fortë ndaj falsifikimit.

Këto elemente i ndihmojnë të verbrit të dallojnë prerjet e kartëmonedhave nga njëra-tjetra. Ato janë të vendosura në anën e djathtë të pamjes së përparme të kartëmonedhës dhe paraqiten në formën e elementeve gjeometrike, të realizuara me teknika të shtypit të ngritur, të dallueshme me anë të prekjes. Për shembull, në serinë e qarkullimit, kartëmonedhat me prerje 200 Lekë identifikohen me 2 katrorë, kartëmonedhat 500 Lekë me 3 rombe, kartëmonedhat 1000 Lekë me katër rrathë, kartëmonedhat 2000 Lekë me 5 vija paralele, ndërsa kartëmonedhat me prerje 5000 Lekë me 5 trekëndorë.