Kush do të përfitojë apartament të ri dhe kush përjashtohet nga Programi i Rindërtimit pas tërmetit

46

Nga programi i rindërtimit të banesave pas tërmetit të 26 nëntorit, përfitues do të jenë individët dhe familjet, që kanë humbur anëtarë të familjes, familjet qe kanë pësuar dëme në banesat e tyre dhe kanë mbetur të pastrehë si pasojë e fatkeqësisë natyrore, si dhe institucionet publike që kanë pësuar dëme në ndërtesat apo infrastrukturën publike në pronësi apo në administrim të tyre, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, në njësitë e vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore.

Po ashtu, përfitues do të jenë tregtarët ose shoqëritë tregtare, të cilëve si pasojë e fatkeqësisë natyrore i është dëmtuar selia e tyre ose çdo vend i ushtrimit të aktivitetit tregtar, në pronësi të tyre, në njësitë e vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore.

Kjo përcaktohet në aktin normative për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore,të publikuar në Fletoren Zyrtare.

Kush nuk përfiton

Në aktin normativ përcaktohen edhe disa kategori që nuk përfitojnë nga programi i rindërtimit. Referuar aktit, nuk është subjekt përfitues individi ose familja që ka në pronësi ose posedim të ligjshëm, më shumë se një banesë, në njësinë e vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, pavarësisht nëse banesa që është dëmtuar nga fatkeqësia natyrore ka qenë vendbanimi I zakonshëm.

Në rast se të gjitha banesat në pronësi ose në posedim janë dëmtuar nga fatkeqësia natyrore, individi ose familja përfiton, sipas parashikimeve të këtij akti, vetëm për banesën që në datën e fatkeqësisë natyrore përdorej si vendbanim i zakonshëm.

Nëse pas përfitimit, sipas kësaj pike, banesa ose banesat e tjera të familjes përfshihen në planin e detyruar vendor, përfitimi i sipërfaqeve në ndërtimet e reja do të kryhet sipas parashikimeve të këtij akti” përcaktohet në akt.

Po ashtu, nuk janë subjekte përfituese subjektet e së drejtës tregtare në fushën e ndërtimit për ndërtesat ose njësitë brenda një ndërtese në pronësi të tyre, që janë dëmtuar nga fatkeqësia natyrore, kur dëmi ka ardhur si rrjedhojë e gabimeve në projektimin apo ndërtimin e ndërtesës kryer prej vetë subjektit ndërtues që është njëkohësisht dhe pronar i objektit, përveç rastit kur zbatohet zhvillimi i detyruar vendor sipas parashikimeve të këtij akti.