Kush janë 4 shtetet që sollen më shumë turistë në Shqipëri në Janar, kryesojnë anglezët

79

Shtetasit anglezë kryesojnë me numrin më të lartë të hyrjeve në Shqipëri gjatë muajit janar 2019.

Instituti i Statistikave publikoi sot të dhënat mbi lëvizjet e shtetasve në Shqipëri gjatë muajit janar 2019, ku bën të ditur se, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Anglia ka pasur rritjen më të madhe me 7,5 %.

Sipas INSTAT, edhe shtetasit gjermanë që hynë në vendin tonë gjatë kësaj periudhe shënuan një rritje me 7,3% të ndjekur nga zviceranët e polakët që po shtojnë interesin për Shqipërinë jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe për të bërë biznes e për të ndërmarrë sipërmarrje të reja.

Shifrat tregojnë se po rritet interesi i vizitorëve dhe i turistëve të huaj për Shqipërinë, ku edhe për këtë periudhë të fillim vitit 2019, fluksi i vizitorëve të huaj që hynë në vendin tonë shënon shifrën e 209.520 personave.

Ndërsa hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin janar 2019 arriti në 574.048 persona duke ruajtur pothuaj të njëjtin trend me janarin 2018.

Tashmë jo vetëm plazhet dhe turizmi veror e kanë kthyer Shqipërinë në një destinacion të vizitorëve të huaj, por zhvillimi i një turizmi gjithëvjetor po tërheq vëmendje të shtuar të vizitorëve në çdo muaj të vitit.

Por jo vetëm turizëm, fluksi në rritje i vizitorëve të huaj lidhet edhe me zhvillimin e biznesit dhe sipërmarrjet e reja. Kështu sipas INSTAT Investimet e Huaja Direkte u rritën me 11,6% gjatë 9-mujorit 2018, kundrejt një viti më parë. Ku dominojnë investimet nga Zvicra, Kanadaja, e Austria.

Ndërsa të ardhurat nga turizmi në Shqipëri arritën një vlerë rekord prej 683 milionë euro vetëm në tremujorin e tretë të vitit 2018, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.