LAJM I MIRË/ BE jep 112 milionë euro për fermerët shqiptarë

85

Fermerët shqiptarë do të mbështeten me një grant IPARD prej 112 milionë eurosh për 6 vitet e ardhshme.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë theksoi sot se, “BE vazhdon të qëndrojë pranë Shqipërisë dhe popullit të saj në këto kohë të vështira!”

Në një njoftim për shtyp të KE thuhet se, Komisioni Evropian miratoi programet e zhvillimit rural (IPARD) nën instrumentin për ndihmën e paraanëtarësimit për Shqipërinë (112 milionë €), Maqedoninë e Veriut (97 milionë €), Serbinë (288 milionë €) dhe Turqinë (430 milionë euro).

Programet ofrojnë bazën për mbështetjen e BE-së në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural për periudhën 2021-2027.

Kjo mbështetje e BE-së, së bashku me kontributet kombëtare publike dhe private, pritet të gjenerojë në total mbi 2 miliardë euro investime në zonat rurale të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.

Me zbatimin e programeve IPARD, vendet përfituese ndjekin objektivat që lidhen me konkurrueshmërinë e sektorit agroushqimor, menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, veprimin klimatik dhe përmirësimin e atraktivitetit të zonave të tyre rurale.

Programet gjithashtu kontribuojnë në objektivat e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Programet IPARD mbështesin investimet në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë përmirësimin e ndërtesave, makinerive dhe pajisjeve. Ato ndihmojnë gjithashtu në rritjen e potencialit të rritjes së zonave rurale dhe atraktivitetin e tyre për të parandaluar shpopullimin nëpërmjet infrastrukturës më të mirë, diversifikimit të aktiviteteve ekonomike që gjenerojnë të ardhura dhe nxitjes së punësimit rural, veçanërisht midis grave dhe të rinjve.

IPARD është një pjesë integrale e strategjisë më të gjerë të para-anëtarësimit të BE-së nën Instrumentin për Asistencën e Para-Aderimit (IPA).