Lajm i mirë për drejtuesit e mjeteve/ Rinovimi i CAP, tashmë 86% më lirë dhe brenda ditës!

330

Rinovimi i Certifikatës së Aftësimit Profesional (CAP) për të gjithë drejtuesit e mjeteve të transportit rrugor të mallrave dhe të pasagjerëve, realizohet shumë më shpejt dhe shumë më lirë! DPSHTRR njofton se nga përshpejtimi i rinovimit të CAP përkundrejt kostove më të ulëta do të përfitojnë vetëm për vitin 2022 rreth 13,703 drejtues mjetesh të transportit të mallrave dhe të pasagjerëve me leje drejtimi të kategorive C1, C, C1E, CE, D1, D, D1E dhe DE.

Më parë për të rinovuar CAP, drejtuesi i mjetit duhet të frekuentonte kurs rreth 30 ditë e më pas t’i nënshtrohej ritestimit teorik. Tashmë, ky proces i eliminuar, shmang tarifën 48,000 lekë (e përllogaritur mesatarisht). Gjithashtu, nga 31 ditë që nevojitej përpara, me thjeshtimin drastik të këtij shërbimi, drejtuesi i mjetit e përfiton për 1 ditë kartonin e CAP pranë sporteleve të drejtorive rajonale. Kosto e rinovimit është ulur me rreth 86% nga 55,500 lekë mesatarisht (kursi 48,000 lekë + vizita mjekësore 4,000 lekë + kartoni i CAP 3,500 lekë) në 7,500 lekë (vizita mjekësore + kartoni CAP)!

Vetëm gjatë periudhës qershor-korrik 2022, nga aplikimi i këtyre lehtësive (13.06.2022), kanë përfituar 1,760 qytetarë. Kjo shifër e konsiderueshme përfituesish përkthehet në kohën e kursyer 52,800 ditë kohë pritje dhe afërsisht 85,000,000 lekë të kursyera falë uljes së kostove dhe rinovimit brenda ditës.