“Lazarat Burning” filmi shqiptar në Hollywood lançohet nga Gabriel Garko

298

Një projekt i madh Hollywood-ian do ta sjellë Shqipërinë si asnjëherë tjetër në sytë e të gjithë botës, përmes filmit “Lazarat Burning”.

Ditën e enjte, kompania filmike “Mercury Films” lançoi filmin  “Lazarat Burning” ose ndryshe “Lazarati në Flakë”  që do të sjellë në muajin gusht të 2017, në formën e një filmi aksion, histori nga fshati i Lazaratit, ku shqiptarët luftojnë për idealet, mes gjithçkaje u është dashur të kalojnë.

“Lazarat Burning” do të shfaqë një Shqipëri krejt ndryshe, ndërsa në film do të interpretojnë aktorë të shquar të Hollywood-it, por edhe rusë dhe shqiptarë.

Pjesë e këtij filmi do të jenë aktorët Konstantin Khabensky, Elizaveta Boyarskaya, Dmitry Nagiev dhe Ivan Makarevich. Ndërsa për kastin e aktorëve shqiptarë do të hapen edhe audicione mbi ku do të pëzgjidhen aktorët.  Filmi pritet të dalë në kinema në muajin Gusht të vitit 2017. Aktori kryesor në film, Gabriel Garko iu përgjigj sot  interesimit të gazetarëve, nga ku tha se “jam i lumtur që jam këtu dhe po jetoj një periudhë historike që ju e njihni dhe e keni jetuar më mirë se unë. Është gjithmonë tërheqëse të njohësh kulturën e një vendi që është shumë afër Italisë por në disa drejtime mund të jetë shumë larg. Po më tërheq shumë dhe nuk e njihja  historinë  e Lazaratit, por duke e dëgjuar nga ju është shumë më ndryshe”.

Gjatë prononcimit për ATSH-në, aktori i mirënjohur Italian, Gabriel Garko tha se “ky film aksion ka të veçantë historinë e një djali që ia vrasin prindërit, e për këtë arsye ai bëhet polic dhe hakmerret më vrasësit, përmes ligjit.  I gjithë filmi është i veçantë sepse sjell në vëmendje kurajon dhe shpresën për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Është një produksion i madh për të sjellë Shqipërinë në një këndvështrim tjeter sepse filmi është një mënyrë për të bërë botën të ndryshojë mendim”.

Pyetjes se çfarë kishte të përbashkët karakteri i tij me atë të personazhit që luan në film, Garko tha se nuk është që kishte ndonjë gjë të përbashkët përveçse për të sjellë në jetë njeriun idealist. Ai u shpreh po ashtu, që i pëlqen shumë Shqipëria dhe do të ketë mundësi të vizitojë shumë vende për shkak të xhirimeve, që do kryhen në të gjithë Shqipërinë. Gabriel Garko (aktor italian) ka luajtur në shumë filma, ku  ndër më të njohurit është “L’Onore e rispeto”, shumë i njohur edhe për publikun shqiptar.

Gjatë këtij prezantimi nga Kompania filmike “Mercury Films”,  ishte i pranishëm  bashkëproducenti shqiptar Koloreto Cukali dhe presidenti i dhomës amerikane Mark Crawford.

Producentët e “Mercury Films”, Issa Zaroui, Salim Zaroui, Marco Balsamo e Mark Crawford, nisën në janar të 2016-ës ekspeditën e tyre shqiptare, duke bërë kërkime për të sjellë në jetë këtë film.

Marrë nga ATSH