Media prestigjoze franceze “Le Figaro” publikoi sot një shkrim në të cilin e cilëson Shqipërinë si një destinacion i kësaj vere.
Një vend, dy mundësi: Shqipëria kundër rrymës
I çliruar nga këmisha e tij staliniste, vendi i shqiponjave rishfaqet pa e humbur shpirtin. Nga mbetjet e lashta të qyteteve mijëravjeçare e deri te hapësirat e ruajtura natyrore, është një parantezë ideale për një pushim ku nuk ka shumë njerëz. Rekomandimet tona.
Qytetet osmane dhe bregdeti i Jonit
Të përshkosh Shqipërinë nga veriu në jug është premtimi për të jetuar një mësim historie të gjallë. Tirana, kryeqyteti i saj, rezervon shumë. Konstatojme se stalinizmi nuk është gjithmonë një arkitekt aq i keq sa e mendojmë. Sheshi Skënderbej, frymëzimi është më tepër musolinian, por xhamia e Namazgjahut dhe Kulla e Sahatit aty pranë janë pjesë e mrekullive osmane të trashëguara nga fillimi i shekullit të 19-të. Ky udhëtim prej 400 kilometrash do t’i çojë më tej udhëtarët në Berat, “qyteti i një mbi një dritareve”, i përfshirë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s.
Në kështjellën mesjetare ose në kthesën e një rrugice, ofrojini vetes këtu një zhytje në epokën e artë të Ballkanit piktoresk. Më pas vjen zbulimi i Gjirokastrës, e cila, pavarësisht peripecive të historisë, e ka ruajtur thuajse të paprekur hijeshinë e saj osmane. Një muze i jashtëzakonshëm Etnografik dhe tarraca të këndshme me hije gjenden në qytetin e lindjes së shkrimtarit Ismaïl Kadare dhe Enver Hoxhës. Për të vënë veten në vendin e një tregtari të begatë, ju i ulni valixhet në një rezidencë të shekullit të 17-të ku përzihen trashëgimia turke dhe ajo shqiptare. Me një udhëtim me gomone nga Saranda, një vendpushim bregdetar në Rivierën Shqiptare, udhëtimi përfundon me këmbët në ujë në ishujt më të bukur të Jonit: Korfuz.
Udhëtim me makinë në brendësi të vendit
Kjo tokë e panjohur ka ruajtur ngjyra që nuk gjenden më askund. Pasi të merrni një makinë në dalje të aeroportit të Tiranës, drejtohuni në lindje drejt Liqenit të Ohrit, në kufi me Maqedoninë. Menjëherë do te mbeteni te mahnitur perpara këtyre ujërave te bruzta, në të cilat njeriu përmbahet të mos zhysë kokën së pari. I klasifikuar pasuri e botes nga Unesco për thellësinë e tij (deri në 288 metra) dhe për pasurinë e florës dhe faunës së tij në brigje, prej ketij liqeni jetojnë shumë fshatra peshkataresh si Lini piktoresk, pa dalje në det në gadishullin e tij. Në Rehovë, një qytezë me shtëpi prej guri, njëqind kilometra më në jug, udhëtarët mund të zhyten në jetën e vendasve me mikpritjen e tyre jo të shtirur duke mësuar se si të përgatisin byrekun tradicional.
Pas një ndalese të shkurtër në ujërat termale të Bënjës, përfitimet e të cilave nuk ka më nevojë të vërtetohen, shtrirja e gjelbërimit të Parkut Kombëtar të Llogarasë ju lë pa frymë. Një shëtitje 45 minutëshe në kreshtën e Gadishullit të Karaburunit ofron një pamje që zhytet në blunë qiellore të detit Jon. Të rrallë janë ata që do të arrijnë të shohin një çakall apo një rrëqebull, roje të natyrës së egër të këtyre maleve, por të gjithë do të kthehen me bebëzat e mbushur me panorama me nuanca të habitshme.
/ata.gov.al