Gjirokastra ndër destinacionet më të kërkuara në turizmin ndërkombëtar

8

Qyteti i gurtë i Gjirokastrës ka zgjuar kuriozitetin e mijëra turistëve vendas e të huaj gjatë këtij sezoni turistik.

Turistët vendas e të huaj po gjallërojnë kalldrëmet e gurta të qytetit të Gjirokastrës, ku qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.

Janë mbi 200 mijë turistë vendas dhe të huaj, të cilët përgjatë këtij viti kanë vizituar Gjirokastrën dhe rrethinat, duke regjistruar ndër shifrat më të larta në vite. Pra ky sezon veror po e evidenton Gjirokastrën si një ndër destinacionet më të kërkuara dhe kryesore për turizmin, jo vetëm në rang kombëtar, por edhe me gjerë.

Tashmë qyteti pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s është një markë e njohur për turizmin ndërkombëtar duke e kthyer në destinacion të preferuar krahas vendasve edhe për vizitorët nga mbarë bota.

Falë vlerave si qytet i UNESCO-s, resurseve natyrore, monumenteve të kulturës, traditave të pasura Gjirokastra gjithmonë e më shumë po preferohet për tu vizituar nga turistët nga mbarë bota.

Të huajt zënë mbi 80% të vizitorëve të këtij viti në Gjirokastër, ndërkohë që harta prej nga vijnë është mjaft e larmishme. Qyteti i gurtë po mirëpret vizitorë nga Italia, Spanja, Greqia, Gjermania, vendet Skandinave, nga Evropa Perëndimore dhe Lindore por nuk mungojnë as turistët nga SHBA-ja, Brazili, Argjentina, Kina, Australia, etj, etj.  Pra tashmë Gjirokastra është një markë e njohur dhe destinacion në rang botërore për sa i përket vizitueshmërisë nga turistët e huaj.

Mbështetur mbi statistikat zyrtare bëhet fjalë për një rritje prej 35-40% të vizitueshmërisë nga turistët përgjatë sezonit veror krahasuar me vitet e e kaluara.

Në Gjirokastër turistët vendas dhe të huaj kanë çfarë të shikojnë dhe të prekin nga afër. Vlera të tilla historike dhe ndërtimore si Pazari karakteristik, Kalaja, komplekset muzeale, dhjetëra banesa të gurta me elementët e tyre të papërsëritshëm zgjojnë interesimin e turistëve të huaj. Guidën e vizitueshmërisë e pasurojnë edhe muzeumet, vlerat natyrore, objektet e shumta të trashëgimisë kulturore duke e bërë në këtë mënyrë udhëtimin jo vetëm njohës, por edhe për t’u informuar dhe mësuar diçka në lidhje me historikun dhe vlerat e qytetit shumëshekullor.

Guida turistike bëhet më e larmishme kur asaj i shtohen Parku Natyror i Viroit, siti arkeologjik i Antigonesë, bukuritë natyrore dhe resurset e agroturizmit në Lunxhëri, Cepo, etj.

Ndërthurja e vizitës në bashkinë e Gjirokastrës edhe me vlerat dhe traditat e zonave të Libohovës, Dropullit, por edhe më gjerë me Përmetin, Tepelenën apo Sarandën e bëjnë mjaft të larmishëm dhe tërheqës udhëtimin për turistët.

Tashmë turizmi është një sektor prioritar edhe për bashkinë e Gjirokastrës. Me zhvillimin që turizmi po merr duke përfshirë edhe dobishmërinë ekonomike të tij për komunitetin bashkia mes të tjerash ka synuar edhe promovimin e vlerave turistike duke i bërë ato të ditura për vizitorët kryesisht të huaj.

Lidhur me masat që ka marrë bashkia për mbarëvajtjen e sezonit turistik, Golemi sqaroi se “aktualisht në bashki funksionon një grup i veçantë punë për mbarëvajtjen e suksesshme të sezonit turistik. Në këtë mënyrë kemi koordinuar punën e strukturave lokale për një qytet të pastër, garantimin e sigurisë publike, evitimin e problematikave të qarkullimit rrugor kryesisht në pikat turistike e mbi të gjitha organizimin  e aktiviteteve kulturore dhe artistike në shërbim të zhvillimit të turizmit”.

Kryebashkiaku Golemi i pyetur për investimet që po kryhen nga bashkia e Gjirokastrës  për t’i ardhur në ndihmë zhvillimit të turizmit dhe jo vetëm, tha se “sezonit të suksesshëm të këtij vitit ne i paraprimë me dy investime madhore ndërsa me mbështetjen e qeverisë qendrore u ndërtua bajpasi i zonës muzelae dhe parkimi nëntokësor në sheshin “Çerçiz Topulli”. Vazhdon puna me ritme të përshpejtuara për përfundimin e plotë të mjedisit urban në këtë shesh duke e kthyer në një aset me vlerë për turizmin”.

/ata.gov.al