Legjenda shqiptare Bekim Fehmiu dhe filmi “Odiseja”, “rikthehen” në gjigandin televiziv RAI

327

Aktori i njohur shqiptar Bekim Fehmiu “rikthehet” në televizioni publik italian RAI në interpretimin e filmit “Odiseja”.

Promovimi i Kosovës përmes diplomacisë publike është një nga iniciativat e ndërmarra nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë e cila falë një bashkëpunimi të suksesshëm me RAI-n propozoi ritransmetimin e filmit të njohur Odiseja me protagonist aktorin me origjinë shqiptare Bekim Fehmiu, i cili pati një karrierë të sukseshme në Itali e Europë.

Nga data 22 deri më 29 dhjetor ky serial televiziv po transmetohet në kanalin Rai Storia.

Filmi Odiseja konsiderohet një nga kolosët e kinematografisë televizive italiane e i pari film i xhiruar me ngjyra.

Në 8 seri televizive filmi Odiseja mbush sivjet 50 vite nga realizimi i tij nën regjinë e tre regjisorëve; Franko Rossi, Piero Schivazappa e Mario Bava e i bazuar në skenarin e poemës së Homerit Odisea.

Në rolin e Penelopës interpretonte aktorja e njohur greke Irene Papas.

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Romë, Alma Lame  ishte e ftuara speciale në programin e pasdites “Vita in diretta” në Rai Uno, e cila njohu publikun italian me jetën e karrierën e aktorit të madh Bekim Fehmiu.

“Bekimin e kam njohur personalisht një vit para se të vdiste, tha ajo. Ai nuk ishte vetëm një aktor, por ishte shkrimtar e artist i gjithanshëm.”

“Shkëlqimi e tmerri” është libri i tij i botuar më vitin 2001 një udhëtim personal i kujtimeve të jetës e krijimtarisë së tij artistike.

Bekim Fehmiu, u shpreh Ambasadorja Lame, edhe kur Kosova nuk ishte ende shtet, deklaronte me krenari identitetin e tij shqiptar e kosovar.