Liga e Kombeve/ Hidhet shorti, ja kë kanë në grup Shqipëria e Kosova

31

Në Nion të Zvicrës është hedhur mbreme shorti i Ligës së Kombeve për sezonin 2020-2021, që është edhe edicioni i dytë i këtij kompeticioni që startoi vetëm vitin e shkuar.

Kombëtarja shqiptare u shortua në Ligën C, Grupi 4, ku do të ndeshet me Kazakistanin, Lituaninë dhe Bjellorusinë.

Ndërkohë Kosova, ndryshe nga edicioni i sezonit të kaluar ku bënte pjesë në Ligën D, këtë herë është shortuar në Ligën C.

Kosova është në Grupin 3 së bashku me Moldavinë, Slloveninë dhe Greqinë. Një grup deri diku i vështirë për ekipin e drejtuar nga Shaland, që këtë muaj do të luajë play-off-et me Maqedoninë e Veriut të vlefshme për Ligën D, që e mban ende në lojë për të fituar një biletë për Europianin e këtij viti.

Sakaq ashtu siç pritej shorti për Ligën A ka rezervuar përballje shumë interesante dhe me interes të lartë.

Kështu në Grupin 1 të Ligës A do të sfidojnë njëra-tjetrën Holanda, Italia, Bosnja-Hercegovina dhe Polonia.

Në grupin 2 të Ligës A janë Anglia, Belgjika, Danimarka dhe Islanda.

Në grupin 3 të Ligës A bëjnë pjesë Portugalia e cila fitoi edicionin e parë të këtij sezoni, Franca kampione bote, Suedia dhe Kroacia.

Ndërsa në grupin 4 të Ligës A janë shortuar së bashku Zvicra, Spanja, Ukraina dhe Gjermania.

Ndeshjet e fazës së grupeve të këtij edicioni do të luhen në muajt shtator, tetor dhe nëntor. Kujtojmë se fituesja e çdo grupi në secilën Ligë kalon në fazën play-off ose ndryshe gjysmëfinalet nga ku më pas del edhe fituesja e Ligës përkatëse. Ndërsa vendet e fundit të secilit grup në çdo ligë do të zbresin një ligë më poshtë.