Lungomare edhe tek Shkëmbi i Kavajës! 200 milionë lekë për transformimin e zonës

169

Hapësirat publike në zonën e plazhit tek Shkëmbi i Kavajës do t’i nënshtrohen së shpejti rikonstruksionit. Bashkia e Durrësit ka hapur procedurat e tenderimit publik për rikualifikimin urban dhe rrjetit rrugor, investim për të cilin është përcaktuar një fond limit prej më shumë se 194.9 milionë lekësh.

Për vitin 2019 është akorduar fondi prej 5 milionë lekë, vitin e ardhshëm 150 milionë lekë dhe për vitin 2020 është parashikuar fondi prej 79 milionë lekësh.

Bazuar në dokumentet e publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, zona ka një sipërfaqe prej 39 hektarësh, ku dominohet nga ndërtimet e pas viteve 1990.

Grafiku i punimeve, të cilat do të zbatohen për një periudhë kohore prej 435 ditë kalendarike parashikon një sërë ndërhyrjesh, ku përgjatë vijës bregdetare është projektuar të krijohet një lungomare me sheshe rekreative, sipërfaqe të gjelbra të shtuara si dhe kënde lojërash për fëmijë. Po ashtu, nga detajet e projektit përgjatë gjithë shëtitores do të vendosen stola.

Projekti është konceptuar në mënyrë të tillë për të sjellë një peizazh të veçantë për katër stinët, përmes përdorimit të tonaliteteve të ngjyrave përfaqësuese për secilën prej tyre.

Ndërkohë, po ashtu do të bëhet pajisja me sistemin e ndriçimit dhe sinjalistikën e nevojshme në këtë zonë.

Ndërsa, sa i takon ndërhyrjeve të rrjetit rrugor, projekti parashikon zgjerimin dhe drejtimin e tyre sipas mundësive dhe hapësirave të lejueshme.