Prej sot, Marsela Çibukaj do të jetë zëri i të gjithë fëmijëve dhe të rinjve shqiptare, veçanarisht atyre më në nevojë, pasi është zgjedhur si ambasadore e World Vision, një organizatë ndërkombëtare zhvillimi dhe advokimi që punon në 100 vende të botës, kryesisht për të sjellë ndryshim të qëndrueshëm për fëmijët dhe familjet më në nevojë.
Artistja e talentuar dhe shumë e dashur për publikun, por edhe e ndjeshme dhe aktive ndaj kauzave sociale, në mënyrë vullnetare do të bashkëpunojë me World Vision Albania për fuqizimin dhe zbatimin e të drejtave për dhjetëra mijëra fëmijë dhe të rinj në Shqipëri.
Gjatë një bashkëbisedimi që pati me një grup të rinjsh nga Tirana, Marsela Çibukaj i inkurajoi ata që punojnë fort për të zhvilluar talentet e tyre dhe për të qenë agjentë ndryshimi në komunitet, ndërsa i ftoi që ta ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri.
“Vetë unë kam zgjedhur të rikthehem nga Italia në Shqipëri për ta ndërtuar jetën. Mund të hasni në vështirësi, por gjithmonë ka një zë që të therret për të dhënë kontribut në tokën e të parëve,“- tha Çibukaj.
Marsela Çibukaj është një emër i njohur i artit në Shqipëri dhe Itali. Përveç sukseseve të saj brenda dhe jashtë vendit, këngëtarja është edhe një model frymëzimi për të rinjtë, kryesisht për çiltërsinë dhe thjeshtësinë e saj.