Foshnjat që do të vijnë në jetë në qytetin e Sarandës dhe jo vetëm, si dhe nënat e reja marrin shërbim në kushtet më të mira. Këtë e garanton materniteti i ri i Sarandës, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 336 milionë lekë, i cili u shërben 140 mijë qytetarëve të katër bashkive Sarandë, Konispol, Delvinë dhe Finiq.
Me infrastrukturë të standardeve europiane dhe i pajisur me aparatura të teknologjisë së lartë, materniteti i ri i Sarandës është pjesë e korpusit spitalor, që së bashku me ndërtimin e spitalit të kirurgjisë dhe patologjisë, garantojnë një standard të ri shërbimi në spitalin bashkiak të Sarandës.