Mbi 360 mijë vaksina falas/ Procesi nisi me mjekë e infermierë, ja kategoritë me prioritet

18

Programi i vaksinimit kundër gripit ka nisur sot si pjesë e planit të vjeshtë-dimrit të autoriteteve shëndetësore për të minimizuar riskun nga komplikacionet që vijnë nga gripi stinor, sidomos në situatën e pandemisë.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se janë siguruar disa herë më shumë vaksina se një vit më parë.

Bazuar edhe në rekomandimin e ekspertëve, Shqipëria ka siguruar 368 mijë doza vaksinash, sasia e parë e të cilave ka mbërritur dhe ka nisur të shpërndahet në qendrat shëndetësore, me qëllim vaksinimin e kategorive të riskut, duke filluar nga personeli shëndetësor, duke vijuar me mësuesit, edukatorët, duke vazhduar me të sëmurët kronikë, me ata mbi 65-vjeç, fëmijët.

Nga vaksinimi do të përfitojnë disa grupe risku dhe në këtë situatë të shkaktuar nga COVID-19, vaksinimi do të jetë një masë parandaluese që këto grupe risku të mos infektohen nga virozat që qarkullojnë meqenëse qarkullojnë paralelisht me COVID-19.

Vaksina kundër gripit është siguruar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale katër herë më shumë se një vit më parë dhe do të vijë të kryhet pas personelit shëndetësor edhe për grupet e tjera të riskut, falas, pranë qendrave shëndetësore, sipas një kalendari të përcaktuar nga vetë strukturat e shëndetësisë. Do të jenë mjekët e familjes që do të thërrasin personat e riskuar për kryerjen e vaksinës, sipas parashikimeve.