Media italiane e përshkruan Shqipërinë si destinacioni i ëndrrave për vitin 2023

11
Media italiane “Si Viaggia” e përshkruan Rivierën Shqiptare si një destinacion ëndrrash ku gjiret shkëmborë, ujërat e kaltra, malet e thepisura, plazhet me rërë dhe parqet kombëtare ndërthuren me njëri-tjetrin.

Nëse mendja fluturon tashmë drejt verës dhe pushimeve çlodhëse e argëtuese në plazh, mes marrjes së rrezeve të diellit dhe zhytjeve në ujëra të pastër kristal, 2023 ka rezervuar një destinacion përrallor.

Po flasim për Rivierën Shqiptare, një brez i ngushtë bregdetar prej 154 kilometrash, që shtrihet nga Vlora në veri deri në Ksamil në jug, vetëm pak orë nga Italia dhe ideale për qëndrime me kosto të ulët.

Maldivet e reja të Europës

Bregdeti jugor i Shqipërisë është një Eden autentik, për ata që dëshirojnë të kalojnë pushime të bukura buzë detit në Europë, dhe, në të njëjtën kohë, ta gjejnë veten në atmosferën ëndërrimtare të Maldiveve dhe Karaibeve,

Peizazhet janë spektakolare, plazhet për të gjitha shijet – shkëmbore, ranore, të izoluara, me guralecë, të paprekura, ujërat e thella dhe shpellat që ruajnë dëshmi parahistorike.

Përveç plazheve dhe detit, ofron mundësinë për të zbuluar dhe për të njohur nga afër fshatrat e lashta mesjetare, qytetet e gjalla, kishat dhe kështjellat.

Riviera Shqiptare laget nga ujërat e detit Jon, bukuria e së cilës ndërhuret me çmimet ekonomike dhe distancën nga turizmi masiv.

Vendet më të bukura për t’u vizituar gjatë verës 2023

Një nga destinacionet më të pëlqyera për pushime në plazh është Gadishulli i Karaburunit.

Shpella e Haxhi Aliut

I arritshëm vetëm nga deti, gadishulli ofron perla të pakrahasueshme si Kepi i Gjuhëzës, me një vijë bregdetare të paprekur dhe shpella të mrekullueshme, duke përmendur Shpellën ilire të Haxhi Aliut, me stalaktite mijëvjeçare, si dhe një ujëvarë mbresëlënëse përgjatë murit të pasmë.

Gjiri i Gramës

Një cep tjetër i parajsës në gadishull është Gjiri i Gramës, muret shkëmbore të të cilit ruajnë shkrimet e detarëve të lashtë grekë, si dhe një nga plazhet më magjepsëse në Shqipëri, me rërë të bardhë dhe natyrë që të lë pa frymë.

Për më tepër, bregdeti i qytetit të Himarës ka vendet përrallore si Gjiri i Llamanit, ku kodrat e gjelbra bashkohen me blunë e detit dhe plazhet e Prinos, Spilesë dhe Potamit.

Bëni një ndalesë në Borsh, i cili me plazhin e tij prej 6 km, është i përsosur për shëtitje buzë detit mes aromës së agrumeve dhe pemëve të ullirit dhe në Drimadhes, pak kilometra nga fshati turistik i Dhërmiut, ku deti vezullon me mijëra nuanca blu dhe në plazh, guralecët e bardhë përzihen me rërën e imët.

Ksamil

Por, çfarë mund të thuhet për arkipelagun e Ksamilit, katër ishujt e pabanuar të të cilit janë një himn i vërtetë çlodhjeje?

Së fundi, por jo për nga rëndësia, parqet kombëtare.

Në Rrethin e Vlorës vlen të shihni Parkun Kombëtar të Llogorasë, ku mes fushave të gjera dhe shkëmbinjve të lartë spikasin pikat panoramike më të pabesueshme të Shqipërisë, nga qafa e Qezarit, vështrimi humbet duke admiruar Gjirin e Orikumit, Gadishullin e Karaburunit dhe fshatin e Dukatit.

Ndërsa nga Qafa e Llogorasë, peizazhi i brigjeve të Jonit është i paçmueshëm, së bashku me kanionin e Përroit të Thatë dhe malit Vetëtimë.

Parkun Kombëtar i Butrintit

Dashamirësit e historisë dhe arkeologjisë nuk mund të lënë pa vizituar Parkun Kombëtar të Butrintit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 2005, një nga vendet të rëndësishme arkeologjike në vend. / Si Viaggia