Miratohet lista e re/ Ja bizneset që do të lejohen të hapen të hënën

188

Prej ditës së hënë zgjerohet gama e bizneseve që do të lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik. Ndërkohë që, krahas këtij zgjerimi këto biznese duhet të marrin edhe një sërë masash të detyrueshme, me qëllim frenimin e përhapjes së COVID-19.

Kështu, do të mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre bizneset që tregtojnë me pakicë artikuj kozmetikë dhe të tualetit në dyqane të specializuara, ata që tregtojnë pajisje elektro-shtëpiake, si dhe pastrimet kimike.

Po ashtu, do të hapen hotelet dhe strukturat e ngjashme, si dhe hapësirat për kampingje dhe për parqe, për çadra ose rulota argëtimi. Po kështu, do të lejohet ushtrimi i aktiviteteve juridike, si dhe subjektet që tregtojnë ushqim të shpejtë, pra fast-food ose byrektore, por vetëm duke marrë me vete produktin ose dërgesën në shtëpi.

Nga ana tjetër do të lejohen të ushtrojnë aktivitetin ato biznese që merren me riparimin e pajisjeve të komunikimit, të këpucëve, të orendive elektor-shtëpiake  dhe orëve. Por, vendimi shoqërohet edhe me një sërë masash shtesë që duhet të ndërmarrin të gjithë bizneset që lejoheshin edhe më herët të ushtronin aktivitet, me qëllim parandalimin e përhapjes së infeksionit.

Kështu, punëdhënësi është përgjegjës për sigurimin e vazhdueshëm të elementeve të higjienës ku përfshihen: sapun i duarve, dezinfektantët me bazë alkooli që kanë të paktën 60% alkool,etj.  Po ashtu, punëdhënësi është përgjegjës për sigurimin e vazhdueshëm të mjeteve të mbrojtjes personale si maska dhe doreza.

Nga ana tjetër duhet të vendosë postera që inkurajojnë higjienën e duarve, si dhe për ruajtjen e  distancimit social mes punonjësve, por edhe klientëve, dezinfektimin e  vazhdueshëm të ambienteve të punës, etj..  Paralelisht, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, është i detyruar  të kryejë inspektimin sistematik për vlerësimin e zbatimit të masave përkundrejt penaliteteve në fuqi.