Mjekët e emëruar larg vendbanimit do kompensohen për kosto jetese, ja sa do përfitojnë

40

Të gjithë mjekët që pas përfundimit të specializimit janë emëruar dhe kanë filluar detyrën para datës 1 korrik 2022 do të jenë përfitues të kompensimit për kosto jetese për pjesën e mbetur të kohëzgjatjes së kontratës 3- vjeçare.

Udhëzimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i publikuar në Fletoren zyrtare përcakton masën e kompensimit 15 mijë lekë/muaj për mjekët e emëruar larg vendbanimit të tyre.

“Mjekët, pas përfundimit të specializimit në spitalet universitare, në bazë të detyrimit kontraktor me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale emërohen sipas nevojave të sistemit shëndetësor për një periudhë 3-vjeçare.

Mjekët e përcaktuar në pikën 1 të këtij udhëzimi, të cilët emërohen larg vendbanimit të tyre përfitojnë një kompensim në masën 15,000 lekë në muaj.

Mjekët e përcaktuar në pikën 1 të këtij udhëzimi duhet të vërtetojnë që ushtrojnë detyrën larg vendbanimit të tyre, duke depozituar pranë institucionit shëndetësor ku janë emëruar një vërtetim banimi nga institucionet kompetente sipas ligjit”, përcaktohet në udhëzim.