Mjekët e rinj, kujdes dentar falas për fëmijët në kopshte

358

Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një nismë të re, kujdes falas për shëndetin e dhëmbëve të fëmijëve në kopshte.

Kreu i bashkisë Erion Veliaj ka firmosur marrëveshje bashkëpunimi në kuadër të vullnetarizimit me fakultetin e Mjekësisë Dentare, sipas të cilës mjekët e rinj do të kujdesen falas për dhëmbët e vogëlushëve në kopshtet e Tiranës.

Dy vitet e fundit,  vullnetarët kanë dhënë një kontribut të veçantë për të ndihmuar në disa prej sfidave me të cilat është përballur Bashkia Tiranë në lidhje me emergjenca të ndryshme si zjarret, përmbytjet, por edhe aktivitete të tjera me interes publik, si pastrimi apo shërbimi në institucione arsimore dhe të kujdesit social.

Aktualisht, Bashkia ka ndërmarrë nismën “Të mbrojmë fëmijët nga aksidentet rrugore”, ku çdo ditë vullnetarët dhe nxënësit para fillimit të mësimit ndihmojnë të vegjlit për të kaluar vijat e bardha në rrugëkalimet pranë shkollave të tyre, ndërsa grupe të tjera vullnetarësh kontribuojnë duke ofruar ndihmën e shpejtë në raste aksidentesh.

Burimi: Top Channel