Mjekët e Spitalit Universitar të Traumës kryejnë me sukses ndërhyrjen delikate në pankreas

9

Pas diagnostikimit në kohë rekord, një ndërhyrje delikate në pankreas, pankreasektomia distale, u realizua me sukses falë profesionalizmit të ekipit kirurgjikal të Spitalit Universitar të Traumës dhe përdorimit të teknologjisë së avancuar.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu përgëzoi ekipin e mjekëve Dr. Valmira Abilaliaj, Dr. Dorina Shtjefni, Dr. Dritan Çela, Dr. Dritan Muzha, të cilët sipas saj, “e kanë ngritur në një nivel të ri shërbimin kirurgjikal në këtë spital universitar, me kryerjen e ndërhyrjeve të shkallës shumë lartë të vështirësisë”.

Dr. Valmira Abilaliaj u shpreh se, diagnoza e pacientit ishte e rrallë, dhe sipas literaturës mjekësore ndeshet në vetëm 2% të popullatës europiane.

“Pavarësisht vështirësisë së ndërhyrjes kirurgjikale ecuria postoperatore ka qenë e mirë. Pacienti është në gjendje të mirë shëndetësore”, u shpreh mjekja kirurge Dorina Shtjefni.

Dr. Dritan Çela theksoi se operacioni ishte i vështirë nga ana teknike, por shkoi shumë mirë dhe pacienti u rikuperua shpejt.

/ata.gov.al