Mjeku shqiptar vjen nga Amerika, i kalon pushimet duke vizituar falas bashkëfshatarët e tij

357

Nga Alma Nikolli

Profesioni i mjekut më është dukur gjithnjë më i dobishmi, më njerëzori, më i vështiri e më shpresëdhënësi… I sëmuri e mbledh gjithë dhimbjen në sy dhe mundohet që me një shikim t’ia transmetojë atij që do mund ta shpëtojë, mjekut. E në jo pak raste mjeku nuk i ngre aspak sytë për ta parë e lexuar, shikimi i arrin deri te xhepi i pacientit. Gjithsesi, këtë herë dua të flas për anën humane të mjekësisë, ama duhet të përmendja pak të kundërtën e saj që ta vlerësoj më fuqimisht një veprim të rrallë.

Para pak ditësh “Altini i Mrizit” (Altin Prenga) postoi në Facebook fotografinë e një mjeku që kishte ardhur nga Amerika me pushime dhe vullnetarisht po bënte kontrolle shëndetësore për bashkëfshatarët. Sikur m’u lehtësua pak frymëmarrja e vështirësuar prej një gripi veror. E për të shmangur takimet gjithnjë të pakëndshme me mjekët vendosa ta kaloja në kushte natyrore, pa ilaçe. Dhe sa mirë që mora një “dozë” nga ai postim.

Një doktor që të viziton pa lekë, po që është lajm…lajm i bukur fort! Me shpejtësinë e tastierës dhe ndihmën e Altinit hyra në kontakt me mjekun Angjelin Shtjefni.

Doktor Angjelini është larguar nga Shqipëria në vitin 1996. Për një periudhë shtatë vjeçare, nga viti 1987 deri në vitin 1994 ka punuar në zonat më të thella të Pukës, siç i cilëson ai. Ai u emërua nga regjimi komunist për të punuar në fshatrat Tuç, Lak Rroshi e Qafe Bari, menjëherë pasi u diplomua si Mjek i Përgjithshëm në vitin 1987. Një rastësi e bukur, unë kam lindur dhe kam kaluar vitet e para të jetës në një nga këto fshatëra të thella…

Mjeku që lindi dhe u rrit 30 metra larg shtëpisë së At Gjergj Fishtës në Fishtë të Lezhës, tashmë është integruar në sistemin mjekësor të Amerikës, ku punon në një spital në Jacksonville, Florida. Për disa ditë erdhi në atdhe dhe ofroi falas shërbime shëndetësore për bashkëfshatarët…Mbi të gjitha ofroi shpresë.

Doktor Angjelini më rrëfeu:
Dëshira për të ndihmuar bashkëatdhetarët nuk më ka munguar kurrë, jo vetëm në mjekësi por edhe në fusha të tjera. E realizova këtë vit, qëllimi ishte kompleks, por mesa pashë unë gjatë këtyre tre ditëve, edukimi rreth shëndetit çalonte në mënyrë të theksuar. Pa përmendur vështirësitë ekonomike.

Ofrova falas analizat e urinës, sheqerit, kolesterolit, antibiotikë të llojeve të ndryshme, ilaçe për tension të lartë, diabet, alergji, dhimbje artikulare-muskulare, etj. Ishte një kënaqësi e veçantë për mua të shoh jo vetëm bashkëfshatarët e mi, por edhe të tjerë që kishin dëgjuar dhe erdhën.

Gjithçka ishte falas për këdo që kishte nevojë. Ai popull meriton më shumë se sa një recetë dhe se në ç’farmaci të shkojë. Meriton respekt dhe profesionalizëm.

Burimi: 27.al