“Moj e bukura More” Arbëreshët në UNESCO?

239

Identiteti kulturor i arbëreshëve të Italisë, tejet i pasur në vlera dhe shumë i larmishëm, mbetet një thesar i pakrahasueshëm. Sot, arbëreshët, gjithmonë të dyzuar, kanë kthyer sytë nga Shqipëria për mbështetjen nga ana e saj, në njohjen e vlerave të rralla kulturore të komunitetit të tyre, prej UNESCO-s.

“Duam mbështetje si komunitet arbëresh, si një komunitet që i përket kulturës kombëtare shqiptare, një mbështetje politike për të mbrojtur propozimin tonë, që ky komunitet të njihet nga UNESCO, si një vlerë jomateriale kulturore botërore”,- ka theksuar studiuesi dhe albanologu, Matteo Mandala.

Pikërisht kjo kulturë, e pasur në kaq shumë vlera jomateriale, është vënë në qendër të masterplanit të hartuar nga ky komunitet: gjuha, traditat, trashëgimia kulturore dhe pasuritë natyrore. Një e tillë kulturë në minorancë, është e pashoqe mes minoriteteve jo vetëm italiane, por edhe ato europiane.

“Moj e bukura More”, mbetet një prej lirikave më të bukura shqiptare kushtuar atdheut. Këto vargje shumë të njohura, që i këndon me dashuri secili prej nesh, mbartin në fakt, një histori të rrallë dhe shumë të trishtë.

Shekulli XVI, do të shënonte një prej zhvendosjeve masive të shqiptarëve drejt bregut tjetër të Adriatikut, për t’i shpëtuar asimilit turk. Në këtë grup të popullsisë në ikje, që iu desh të braktiste tokën mëmë, trojet me një bukuri të rrallë dhe fort të lakmueshme arbërore, kishte shqiptarë nga të katër anët e vendit.

Kjo valë emigrimi e arbëreshëve është përshkruar hollësisht edhe nga kronikat vendase. Asokohe, Papa Piu II, i shkruante Filipit, Dukë i Burgonjës: Nuk mundet t’i shohësh pa derdhur lot këta refugjatë, që të uritur e të zhveshur, të shpërngulur nga vatrat e tyre, rrinë buzë detit me duart nga qielli… Qajnë dhe vajtojnë, në një gjuhë që ne s’ua kuptojmë”.

Përmes dhimbjes e trishtimit, duke kaluar ditët larg atdheut, larg Moresë, lindi një prej elegjive më të bukura dhe lirikave më emocionuese të shprehura në vargje të magjishme dhe drithëruese – lajtmotivi i dhimbjes shqiptare ndër shekuj, – siç do të shkruante Konica, për “Moj e bukura More”.

Vargjet e kësaj kënge, u gjetën të dokumentuara për herë të parë në dorëshkrimin e Kieutit, botim ky i vitit 1708. Më vonë, në vitin 1866, ky material do të ribotohej në librin e filologut arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882), ku kënga u pasqyrua shkruar në shqip, por me alfabetin grek:

Moj e bukura More,

si të lash e më s’të pash!

Si të lash, si të lash,

siç të gjeta ngë të lash!

Atje kam unë zotin At’,

atje kam unë zonjën Mëmë,

atje kam dhe tim vëlla,

gjithë mbuluar,

të gjithë mbuluar,

të gjithë mbuluar nën dhe!

Ah e bukura More!