Mollët dibrane dhe lëngu natyral i çertifikuar nga BE plot shije dhe vlera

47

Arkat e mbushura plot me mollët e bukura jeshile janë xhevahiri i parë që të kënaq syrin kur vë këmbën në pragun e fabrikës Kop.Frut Dibër 2012.

Ajri i freskët përreth të freskon mendjen si për të të kujtuar se jo më kot Dibra është aq e njohur për këtë frut të bekuar nga Perëndia.

Tundimi është i madh të rrish aty një copë herë, jo vetëm për të soditur, edhe për të shijuar, por shishet e qelqta me lëngje portokalli ose jeshile të ndjellin vetiu për të bërë përpara.

Nuk qëndron dot gjatë as këtu sepse një sallë e madhe, e pastër dhe e mbushur me makineri përpunuese shkëlqejnë dhe zhurmojnë ambientin deri jashtë.

Gjithçka nis dhe mbaron aty, një proces modern përpunimi që të lë në dorë lëngun e artë, siç ka edhe ermin “Eliksir”.

Vehip Salkurti dhe Namik Shehu, janë dy njerëzit që e kanë bërë të mundur të gjithë këtë: mbledhjen e mollëve të famshme të Dibrës në gjithë zonën përreth, përpunimin e tyre sipas standardeve bashkëkohore dhe prodhimin në fund të një lëngu të shëndetshëm dhe 100 për qind natyral.

Ky standard është edhe arsyeja pse “Eliksir” tanimë ka merituar çertifikimin me ISO22000, në kuadër të projektit ndërkufitar IPA, të financuar nga BE-ja mbi “Standardet dhe Çertifikimi i produkteve Bujqësore, ngritja e Kapaciteteve në përthithjen e Fondeve dhe Strategjitë e Marketingut në Mbështetje të Rritjes Ekonomike dhe Tregtisë të Agrobizneseve”.