Monumentet e gjigantëve, ishulli ku ruhen gjurmët e prehistorisë

1

Disa kulla misterioze prej guri në formën e shkronjës “T” ngrihen në Menorca të Spanjës. Të larta afërsisht 5 metra, kullat nuk dihet saktë se si janë ndërtuar, ndaj ekzistojnë legjenda të shumta për origjinën e tyre. Një nga më të famshmet është ajo e gjigantëve që thuhet se jetuan në këtë ishull 2500 vjet më parë.

Menorca ka një numër të madh vendesh prehistorike të mbrojtura nga Trashëgimia Botërore e UNESCO-s. Shumë prej tyre janë studiuar, por për këto struktura gjigante të quajtura “taula”, ende nuk dihet diçka e saktë. Të ndërtuara me pllaka guri që shkëlqejnë nën diellin e ndritshëm spanjoll, ato gjithmonë tërheqin vëmendjen e turistëve.

Një pllakë e madhe është përdorur si bazë vertikale, ndërsa guri i dytë u vendos sipër, për të formuar sipërfaqen e tavolinës. Pas kërkimeve të shumta, historianët dhe arkeologët, kanë dalë në përfundimin se taulat u ndërtuan rreth 2500 vjet më parë nga qytetërimi misterioz talajotik, një popull parahistorik që u vendos në ishull në epokën e bronzit.

Njerëzit talajotikë përdorën trungje pemësh për të transportuar gurët e mëdhenj, duke krijuar grumbuj dheu si një formë skele, teksa i ngrinin. Ata nuk përdorën asnjëherë llaç apo materiale lidhëse, në vend të kësaj përdorën të quajturën “teknika ciklopike”, që në thelb do të thotë grumbullimi i gurëve të thatë së bashku.”

Ndonëse jetonin në këtë ishull të vogël, rrethuar nga kultura të tjera mesdhetare, njerëzit talajotikë arritën të ruanin identitetin e tyre të fortë dhe krijuan forma krejtësisht të reja ndërtesash që janë monumentale dhe unike. Këta njerëz pushtuan vetëm dy nga Ishujt Balearik (Menorca dhe Mallorca) dhe në dukje ishin të painteresuar për ekspansionizmin në një kohë kur grekët dhe kartagjenasit po kolonizonin shumë vende, duke përfshirë Ibizën aty pranë.

Historianët i shohin talajotikët si një popull i çuditshëm. Ata jetonin pranë detit, por nuk hanin peshk dhe as nuk ishin të prirur të zhvillonin tregtinë. Ndërtuan “rrokaqiejt” të lashtë me funksionin e kullave të vëzhgimit ​​që arrinin deri në 12 metra lartësi, si dhe krijuan dhoma varrimi me pamje nga deti. Megjithatë, shumë gjëra nga qytetërimi i tyre mbeten enigmë.

Sot në ishull ruhen vetëm 7 taula nga 32 që kanë qenë gjithsej. Arkeologët dhe historianët pajtohen me mendimin se këto tavolina gjigante janë përdorur për qëllime fetare, pasi pranë tyre gjithmonë kanë gjetur statuja dhe monumente perëndish. Çdo fshat talajotik kishte të paktën një tempull ose një vend të shenjtë në formën e një patkoi dhe taulat vendoseshin në qendër.

Me të gjitha këto monumente arkeologjike, historinë e banorëve të lashtë të ishullit, bukuritë magjike natyrore dhe plazhet e virgjëra, Manorca është një nga vendet që po tërheq gjithnjë e më shumë turistë nga e gjithë bota.

/lajmifundit.al