Muzika parandalon rënien konjitive tek të moshuarit

1

Të luash një instrument muzikor ose të dëgjosh në mënyrë aktive muzikë ndihmon në parandalimin e rënies konjitive duke stimuluar prodhimin e lëndës gri në trurin tonë sipas një studim i publikuar në NeuroImage: Reports, shkruan focus.it.

Studimi përfshiu mbi 100 pensionistë të shëndetshëm mendërisht midis moshës 62 dhe 78 vjeç që nuk kishte luajtur kurrë më parë në një instrument muzikor.

Me kalimin e moshës, truri humbet plasticitetin dhe lëndën gri, zona ku ndodhen neuronet: ky fenomen njihet si atrofi e trurit.

Një nga funksionet më të rëndësishme konjitive, i quajtur kujtesa e punës, vuan më shumë. Ajo përdoret për të kujtuar dhe përpunuar informacione afatshkurtra të dobishme për arritjen e një qëllimi, si për shembull shkrimi i një numri telefoni ose përkthimi i një fjalie nga një gjuhë e huaj.

Sipas studimit, muzika do të ndihmonte në parandalimin e rënies së këtij lloji të funksionit konjitiv.

Të 132 pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe: i pari mori mësime për piano, ndërsa i dyti mori pjesë në mësime dëgjimi aktiv, të cilat fokusoheshin në njohjen e instrumenteve dhe analizën e vetive muzikore të stileve të ndryshme.

Të gjitha mësimet zgjatën një orë, dhe pjesëmarrësit duhej të bënin detyrat e shtëpisë për gjysmë ore në ditë.

Pas gjashtë muajsh, të dy grupet kishin rritur lëndën gri në katër rajone të trurit të përfshira në funksionimin kognitiv të nivelit të lartë, duke përfshirë disa zona të trurit të vogël të përfshirë në kujtesën e punës.

Performanca e tyre u përmirësua me 6%, dhe plasticiteti i trurit të vogël u përmirësua. Përveç muzikës, në përmirësimin e performancës ndikuan pozitivisht edhe cilësia e gjumit, numri i orëve të mësimeve të ndjekura dhe sasia e stërvitjes ditore.

/ata.gov.al