Ndroq, zhvillohet “Vera n’Shesh”, një risi për të promovuar produktet vendase

261

“Vera n’Shesh” mblodhi bashkë dje pasdite banorët e zonës së Ndroqit, prodhues dhe miq të apasionuar pas produkteve vendase dhe kulinarisë, në një mjedis të rrethuar nga gjelbërimi dhe muzika fantastike e artistëve të Ansamblit të Tiranës.

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me “Risi Albania”, organizoi një minipanair për prezantimin e produkteve agro-ushqimore dhe prodhimet artizanale, me synim kthimin e kësaj feste në një traditë të bukur për promovimin e produkteve vendase, por edhe vendosjen e zonës në hartë si atraksion turistik.

“Vera n’Shesh” është një nga projektet e fituara nga Bashkia e Tiranës në konkursin e parë kombëtar të quajtur “Festat Lokale” për zonat bregdetare, juglindore dhe zonat e identifikuara në strategjinë e “100 Fshatrave”, për nxitjen e zhvillimit të festivaleve tradicionale me fokus rreth aktiviteteve gastronomike dhe tradicionale, rreth aktiviteteve kulturore, fetare dhe historike.