Nënshkruhet marrëveshja me KfW për financimin e programit të Infrastrukturës Bashkiake

254

Minsitri i Financës ka nënshkruar sot tri marrëveshje financimi me bankën gjermane KfW.

Te tre këto financime, që në total kapin vlerën 47 milionë euro, do të akordohen nëpërmjet KfW me anë të tre marrëveshjeve financiare:

  • Kredia e Qeverisë Gjermane në vlerën prej 35 milionë EUR
  • Granti i Qeverisë Zvicerane (SECO) në vlerën prej 10,4 milionë EUR, si dhe
  • Grant i Qeverisë Gjermane në vlerën prej 2 milionë EUR.

Programi i Infrastrukturës Bashkiake III-IV do të kontribuojë në përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë dhe kanalizime në Bashkitë e përfshira në program, Berat-Kuçovë, Delvinë, Gjirokastër, Kamëz, Librazhd dhe Lushnjë.

Përcaktimi i tyre është bërë sipas prioriteteve të Masterplanit Kombëtar të Ujësjellës-Kanalizimeve, si dhe nevojës për investime për të përmbyllur investimet e kryera në fazat e mëparshme të programit.

Objektivi i Programit është sigurimi i shërbimit të qëndrueshëm dhe financiarisht të përballueshëm të furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimit, largimit dhe trajtimit të ujërave të përdorura për popullsinë e qyteteve të përfshira në program. Gjithashtu synohet përmirësimi i performancës të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve të këtyre Bashkive.

Programi, që do të zbatohet nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve është konceptuar të realizohet në dy faza:

Faza 1 – Përgatitore – e cila konsiston në planifikimin dhe specifikimin e investimeve nëpërmjet përditësimit dhe hartimit të studimeve të realizueshmërisë nga konsulenti teknik. Gjithashtu shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve të Bashkive respektive, gjatë kësaj faze janë mbështetur nga konsulenti institucional me qëllim forcimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e performancës për të arritur kriteret e programit të vendosura si kusht paraprak për të proceduar me hapat e zbatimit të projektit. Kjo fazë e programit është realizuar nëpërmjet financimit me Fonde Grant nga Qeveria Gjermane, nëpërmjet KFW dhe Qeveria Zviceriane nëpërmjet SECO.

Faza 2 – Zbatimi – konsiston në zbatimin e investimeve të planifikuara nëpërmjet analizës së detajuar të studimeve të realizueshmërisë të përgatitura nga konsulenti teknik. Shërbimet kryesore që do të kryhen gjatë kësaj faze nga konsulenti teknik konsistojnë në hartimin e projekteve të detajuara teknike, përgatitjen e dokumenteve të tenderimit të punimeve si dhe mbikëqyrjen në terren të punimeve gjatë zbatimit të projekteve. Kryerja e investimeve të parashikuara do të kryhet nga kontraktorë të cilët do të kontraktohen nëpërmjet proceseve të prokurimit sipas rregullave të prokurimit të KFW-së. Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve do të marrin mbështetje institucionale të mëtejshme për të pasur operim të qëndrueshëm të investimeve, për të përmirësuar efiçencën dhe lehtësuar zbatimin e planit të biznesit, planeve të operim-mirëmbajtjes si dhe planit të ndryshimit të tarifave.

Huaja që do të akordohet nëpërmjet marrëveshjes në fjalë do t’i nënhuazohet Shoqërive të Ujësjellës-Kanalizimeve të qyteteve të përfshira në program, me afat më të gjatë shlyerje (maturim 40 vjet duke përfshirë 10 vjet pa pagesë principali).

Projekti, është parashikuar në Programin Buxhetor Afatmesëm 2017-2019 dhe më konkretisht në programin “Ujësjellës-Kanalizime” të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës.