Nga lashtësia deri tani, cila është historia e shkrimit?

38

Shkrimet e para nuk gjenden në letër, por në muret e shpellave të banuara nga njerëzit parahistorikë. Ato ishin shkrime ideografike, pra figura të thjeshta e të zakonshme të skenave të gjuetisë apo të riteve të magjisë. Këto figura quhen ideograma.

Njerëzit besonin se këto vizatime kishin fuqi magjike dhe do i mbronin shpellat e tyre nga bishat e egra.

Me kalimin e kohës u zhvilluan dy lloje shkrimesh të tjera, ai kuneiform dhe hieroglif.

Hieroglifët përdoreshin në Egjiptin e lashtë, ku jo të gjithë dinin të shkruanin e të lexonin. Vetëm njerëzit e pasur dinin shkrim e këndim. Ata punësonin njerëz që quheshin skribë. Skribët dinin të shkruanin në mënyrë të përsosur dhe dinin përmendësh të gjithë hieroglifët. Kjo nuk ishte një punë e thjeshtë, duke qenë se çdo send apo ide kishte një hieroglif të veçantë. Skribët shkruanin në letra të quajturapapiruse ose në muret e tempujve apo ndërtesave të tjera të rëndësishme.

Shkrimi kuneiform përdorej nga sumerët e lashtë. Ata kishin një shkrim shumë të zhvilluar dhe madje kishin edhe letërsinë e tyre. Një nga tekstet që ka ardhur i plotë në ditët e sotme në shkrimin kuneiform është edhe “Epi i Gilgameshit”.

Shkrimi ideografik mbijeton ende sot në Kinë, ku ende përdoren ideograma për të shkruar.

Shkrimi që përdorim ne sot është ai me alfabet latin. Ky shkrim lindi në Romën e lashtë dhe u përshtat nga alfabeti grek dhe fenikas. E merrni dot me mend sa shumë kohë ka që shkruhet me këtë alfabet? Në fillim ai shkruhej si hieroglifët, në pllaka guri, pastaj nisi të shkruhej në pergamena. Librat siç i kemi ne sot nisën të shkruheshin vetëm në mesjetë. Meqë atëherë nuk kishte shtypshkronja, ato shkruheshin me dorë nga murgjit.

Shtypshkrimi u shpik në Kinë (si thuajse çdo gjë tjetër). Aty u shpik edhe letra dhe boja e shkrimit dhe më vonë, në shekullin VII të erës sonë, u shpik makina e shkrimit. Ajo u soll në Europë në 1438 nga gjermani Johan Gutenbergu. Libri i parë i shtypur ishte “Bibla”, në vitin 1454.

Po në shqip?

Libri i parë në shqip është “Meshari” i Gjon Buzukut i vitit 1555. Librit nuk i dihet titulli i vërtetë, sepse faqja e parë është grisur, por është quajtur “Meshari”, sepse përmban pjesë të përkthyera nga Bibla. Ama ky libër nuk është dokumenti i parë në shqip.

Dokumenti i parë daton në vitin 1462 dhe është një fjali e vetme në shqip, në mes të një letre në latinisht, që kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, u shkruan klerikëve të Matit. Fjalia është: “Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit” (Unë të pagëzoj në emër të Atit, Birit, Shpirtit të Shenjtë).

Ndërkohë, gjuha shqipe shkruhej me disa alfabete, si ai latin, grek, arab. Shkrimi me alfabet latin u vendos vetëm në vitin 1908, në Kongresin e Manastirit.