Edicioni i 108-të i Giro d’Italia filloi sot nga Durrësi më 9 maj dhe do të përfundojë pas 21 etapash në Romë të dielën më 1 qershor.
Për herë të parë në histori turneu do të ketë tre etapat e para në Shqipëri. Nisja e Etapës së Parë u krye në orën 13:10 nga Durrësi për të arritur në kryeqytetin e vendit, Tiranë, pas 160 kilometrash.
184 çiklistë nisën pedalimin që pritet të përfundojë pak pas orës 17:00 në Tiranë. Ky event transmetohet në më shumë se 200 vende të botës dhe më shumë se 800 milionë teleshikues do e jenë për tre ditë me sytë nga Shqipëria.
Janë 3500 efektivë të Policisë së Shtetit dhe policive bashkiake që do të garantojnë sigurinë në këtë garë. Dy etapat e tjera do të zhvillohen në Tiranë më 10 Maj dhe në Vlorë më 11 Maj.
ETAPA 1: 9 Maj / Durrës – Tiranë
Xhiro filloi rreth orës 13:10 që nga Porti i Durrësit, ku do të bëhet nxehja dhe pedalimi i ekipeve deri sa të arrijnë në KM 0, në Durrës nga ku do të startojë gara. Sportistët do të vijojnë drejt Malit të Robit, në Kavajë, Rrogozhinë, Peqin, Papër, Bradashesh, Gracen, Mullet, TEG, Sauk, Surrel, Tiranë. Në Tiranë, ata do të rrotullohen nga Surreli, në Rrugën “Xhanfize Keko”, drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pastaj sërish në rrugën e “Rexhekrit”, drejt Surrelit, në rrugën “Xhanfize Keko” e në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Përfundimi i garës parashikohet të jetë rreth orës 17:03 në Sheshin “Nënë Tereza”.
ETAPA 2: Tiranë – Tiranë (10 maj)
Gara nis që nga sheshi “Skënderbej” rreth orës 13:30, në drejtim të bulevardit “Gjergj Fishta”, pastaj nëpërmjet bulevardit “Bajram Curri” drejt sheshit “Nënë Tereza”, në Rrugën e Elbasanit drejt Saukut, rikthehen në bulevardin “Bajram Curri”, nga Ura e Brrylit drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri tek sheshi “Nënë Tereza”, ku rreth orës 17:15 është parashikuar të përfundojë xhiroja.
ETAPA 3: Vlorë – Vlorë (11 maj)
Xhiroja do të nisë rreth orës 13:15, nga Lungomare, ku do të bëhet nxehja dhe pedalimi i ekipeve deri sa të arrijnë në KM 0, në rrugën “Demokracia”, nga ku do të startojë gara. Sportistët do të vijojnë itinerarin drejt Kotës, në Brataj, drejt Qeparoit, më pas nga Porto Palermo në Himarë, e më pas do të kthehen nga Qafa e Llogorasë, drejt Orikumit, e nëpërmjet rrugës “Murat Tërbaçi” do të kthehen në Vlorë. Përfundimi i garës parashikohet të jetë rreth orës 17:26 në rrugën “Sadik Zotaj”.
Referenca: ata.gov.al