Nis puna për rikonstruksionin dhe asfaltimin e rrugës Salari – Nivicë

16

Ky investim me financim nga Qeveria Shqiptare dhe në zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit synon rikonstruksionin e rrugës Salari-Nivicë. Segmenti rrugor që propozohet fillon në Km 0+000 në dalje të fshatit Salari dhe përfundon në Km 13+950 në fshatin Nivicë. Ky variant ndjek krahun e djathtë të përroit në krahë skarpate deri në Km 0+880 dhe e intersekton atë me një urë të re. Më pas vazhdon në rrafshnaltën e fushave të Nivicës.

Grumbullimi dhe i disiplinimi i ujrave është realizuar me anë të kanaleve kullues dheu në krah të skarpatës dhe shkarkimi nëpër puseta me tombino. Përgjatë gjithë segmentit rrugor në studim janë përdorur profile të ndryshme rrugësh sipas rrethanave të saj. Për këtë arsye e gjithë rruga trajtohet e përbërë nga disa segmente rrugore me karakteristika të ndryshme.

Projekti përfshin ndërhyrjet e mëposhtme:

  • Asfaltim të rrugës me binder të mbyllur
  • Infrastrukturë për largimin e ujërave të shiut
  • Ndërtim vepra arti të reja

Aktualisht punimet po vazhdojnë me zgjerimin e trupit të rrugës, si dhe punime gërmimi dhe nënshtresash.

Kjo rrugë lidh zonën e Lopësit si dhe Salarinë me Nivicën, duke dalë në det me investimet e tjera që po kryhen në rrugën Gusmar-Kuç dhe Lotin e III të rrugës së Lumit të Vlorës.