NISMA/ Shërbime veterinare falas për ata që kujdesën për qentë endacakë në Tiranë

43

Kujdesesh për disa qenushë endacakë në lagjen ku jeton, por nuk ke mundësi t’i ofrosh shërbimet bazike veterinare?! Nga sot, kjo ndihmë do të jepet nga ekipi i veterinerëve të bashkisë Tiranë.

Nisma, vjen në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese mbi adoptimin e kafshëve endacake, të cilat trajtohen në Qendrën Veterinare të Bashkisë, që administrohet nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit.

Por, si do të funksionojë “Qendra Veterinare Lëvizëse”?! Përmes dërgimit të një kërkese në webin zyrtar të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit http://mbrojtjakonsumatorit.al/ , çdo kafshëdashës që kujdeset në mënyrë vullnetare për një ose disa kafshë endacake, mund të aplikojë dhe më pas, të marrë shërbimin bazë veterinar.

Puna është nisur me njësinë administrative 5, ku veterinerët e bashkisë trajtuan me vaksina dhe antiparazitë, pesë qenushë të komunitetit aty, për të cilët kujdeset prej vitesh një nga vullnetaret e zonës.

Nisma e AMK-së, vjen në mbështetje ndaj komunitetit kafshëdashës të qytetit të Tiranës, të cilët janë një shembull pozitiv i bashkëjetesës në qytet.