Arkitekti italian Stefano Boeri ka dizenjuar tashmë një Pyll Vertikal për një shumëkatësh në Tiranë, që do të mbushet me bimë dhe lule shumëngjyrëshe. I quajtur Pylli Vertikal i Tiranës, ndërtesa me fasadë prej xhami, do të ketë ballkone me gjelbërim plot aromë dhe do të mbajë firmën e Stefano Boeri Architetti.
Pyjet vertikale janë ndërtesa të mbuluara nga pemë, bimësi dhe lule, të cilat shërbejnë për të rritur sipërfaqen e gjelbëruar në qytet dhe rrisin cilësinë e ajrit. Stefano Boeri Architetti janë të specializuar pikërisht në këto fasada jeshile dhe kanë projektuar ndërtesa shumëkatëshe në qytete si Milano, Utrech, Nanjing.
Vëmendje të veçantë do t’i kushtohet bimëve dhe pemëve që do të zgjidhen për t’u mbjellë në ballkonet dhe tarracat e Pyllit Vertikal të Tiranës.
“Shkurre të karakterizuara nga një gjelbërim i gjallë dhe lule të shndritshme në të verdhë dhe violet do të harmonizohen me aroma të rozmarinës dhe boronicave”. Fasada e apartamenteve do të mbulohet me 3.200 bimë, lule dhe 145 pemë. Stefano Boeri Architetti do të krijojë në këtë mënyrë 550 metra katrorë gjelbërim në këtë sipërfaqe ndërtese në Tiranë.
Bimët në mënyrë të natyrshme thithin CO2 dhe grimcat e ndotjes që ndodhen në atmosferë në qytet duke çliruar oksigjen e duke krijuar mikroklimë të shëndetshme për banorët.
Pylli Vertikal i Tiranës, që do të jetë një godinë rezidenciale, do të ketë një anë ngjitur me një ndërtesë tjetër të lartë ndërsa tre fasadat e tjera do të hapen si një lule drejt godinave të tjera të Sheshit “Nënë Tereza”.
Dritaret e mëdha nga dyshemeja në tavan do të ofrojnë gjithashtu një pamje të gjërë të qytetit përmes bimëve e pemëve që do të mbillen aty.
Pylli Vertikal i Tiranës do të jetë 21 kate i lartë dhe do të ketë 105 apartamente. Do të ketë 4 kate nëntokësore dhe dyqane në katin përdhes.