Njihuni me 20 destinacionet më të mira europiane të vitit 2023

19

Tani që të gjithë vendet europiane kanë hapur kufijtë pa kufizime dhe udhëtarët e huaj po shfaqin interes të fortë për të vizituar “Botën e vjetër”, pyetja që bëhet është – ku të shkoni mes ofertave të panumërta për pushime në qytete, arratisje romantike, natyrë, plazhe, qytete të vogla, itinerare kulturore dhe gastronomike?

Me më shumë se 400 destinacione europiane në listë dhe mbi bazën e një numri rekord prej rreth 700.000 votash nga udhëtarë nga 78 vende, Organizata “European Best Destinations” (EBD) publikoi listën e 20 destinacioneve tendencë në Europë për vitin 2023, e cila do t’ju vijë në ndihmë për të planifikuar udhëtimin tuaj vetëm, me familjen apo miqtë.

Me një numër rekord votash, Varshava (Poloni) kryeson listën, ndjekur nga Athina (91.023 vota, Greqi), Maribor (68.641 vota, Slloveni), Vjenë (Austri) dhe Cittadella (Itali) në pesë vendet e para.

20 vendet fituese janë zgjedhur për rritjen e popullaritetit në rrjetet sociale në 12 muajt e fundit, rritjen e numrit të vizitorëve, cilësinë e jetës, zhvillimin e qëndrueshëm dhe tërheqjen kulturore gjatë gjithë vitit – EUROPEAN BEST DESTINATIONS 2023

Në bashkëpunim me Komisionin Europian që prej 2009-s, për të promovuar turizmin e qëndrueshëm dhe në bashkëpunim me më shumë se 300 zyra të turizmit në Europë dhe me Rrjetin EDEN të Komisonit Europian (Destinacionet e Qëndrueshme Fituese), EDB organizon edhe disa prej konkurseve kryesore turistike në Europë, duke përfshirë Tregjet e Krishtlindjeve më të Mira në Europë, Plazhet më të mira në Europë, Destinacionet më Romantike dhe Resortet më të Mira për Ski në Europë.

Duket se ka shumë arsye për të vizituar Varshavën këtë vit…

E bukur, mikpritëse, e gjelbër, mendjehapur, e përsosur për disa ditë pushimesh me familjen, një arratisje romantike, e pasur me kulturë, Varshava, Destinacioni më i Mirë Europian i vitit 2023, ka diçka për t’u ofruar të gjithëve.

Shëtisni në parqet e bukura, çlodhuni në plazhet e saj, shijoni kuzhinën e larmishme, shkoni në çdo periudhë të vitit dhe përfitoni nga kalendari i pasur me aktivitete.

Pallati i Kulturës dhe Shkencës

Ju do të befasoheni nga Sheshi i Tregut i Qytetit të Vjetër dhe ndërtesat e saj shumëngjyrëshe, Pallati i Kulturës dhe Shkencës, që është ndërtesa më e lartë e Polonisë, Parku Kazienki me pallatet dhe pavijonet e tij.

Fortesa “The Warsaw Barbican”

Gjatë udhëtimit në Varshavë, në Destinacionin më të Mirë Europian të vitit 2023 mos humbisni kurrsesi një shëtitje në “Krakowskie Przedmieście”, rruga më prestigjioze në Varshavë dhe vizitoni “The Warsaw Barbican”, fortesa historike që njëherë e një kohë rrethonte Varshavën.

Rruga “Krakowskie Przedmieście”

Varshava konsiderohet një nga qytetet më të sigurta në Europë. A e dini se Varshava është tre herë më e sigurt se Parisi? Dy herë më e sigurt se Roma dhe madje, edhe se Vjena (sipas të dhënave të Numbeo). Ndjenja e sigurisë kur ecni vetëm është nga më të lartat për një qytet europian…

Pavarësisht se Varshava është i vetmi destinacion kandidat në Poloni, qyteti rezulton gjithsesi me më shumë votime, 142.081 vota, 68% e të cilave jashtë Polonisë, gjë që do të thotë se qyteti do të kishte fituar gjithsesi edhe pa votat brenda vendit.

Dorota Wojciechowska, drejtuese e Zyrës Kombëtare Polake të Turizmit në Londër, deklaroi: “Jemi entuziastë që Varshava e nisi vitin 2023 me këmbë të mbarë, duke u vlerësuar Destinacioni më i Mirë Europian i vitit 2023.

Qyteti tërheq shumë vizitorë të huaj që dashurohen me të vit pas viti. Jam e sigurt që ky vlerësim nuk është një surprizë për cilindo që ka vizituar Varshavën një herë në jetë”.

20 Destinacionet më të Mira Europiane të vitit 2023

  1. Varshavë, poloni
  2. Athinë, Greqi
  3. Maribor, Slloveni
  4. Vjenë, Austri
  5. Cittadella, Itali
  6. Esen, Gjermani
  7. Veszprém, Hungari
  8. Londër, Mbretëri e Bashkuar
  9. Grenoble Alpes, Francë
  10. Manheim, Gjermani
  11. Porto-Santo, Ishujt Madeira
  12. Toledo, Spanjë
  13. Faial, Azores
  14. Rhodes, Greqi
  15. Kopenhagën, Danimarkë
  16. Tossa de Mar, Spanjë
  17. Ascona-Locarno, Zvicër
  18. Milos, Greqi
  19. Pragë, Republika Çeke
  20. Sóller, Spanjë