Njihuni me “Lotus”-in shqiptar, makina që u ndërtua nga Kadriu në fshatin e Fierit (Fotot)

125

Makina e modelit Lotus, ngjyrë portokalli që ai ka ndërtuar 10 vite më parë, nuk ka një markë. Kadri Manaj mendon të çelë kompaninë e parë shqiptare të ndërtimit të automjeteve artizanale. Ai është tek të 30-at dhe makinën e parë artizanale ka nisur ta ndërtojë në moshën 13-vjeçare. Sëbashku me shokun e tij të ngushtë Oltin, çdo fundjavë, më këmbë a me biçikletë ata përshkonin 5 km deri sa mbërrinin në Plykë të Fierit ku i priste oazi i tyre i eksperimentit, një shtëpi përdhese me oborr me hapësirë të mjaftueshme ku dy adoleshentët larg zhurmës së qytetit prodhonin ëndrrat e tyre.

“Projekti i parë ka qenë me grup motorri, jo me grup makine”- kujton Kadriu. Makina e parë u ka shkuar adoleshentëve 300-400 mijë lekë të vjetra. Pjesët i kishim të sajuara.

Ai projekt funksionoi për disa kohë. Djelmoshat mund të ecnin në rrugët e lagjes; 30-40 km në orë. Dhe ajo makinë tashmë nuk ekziston më, por ngjizi ëndrrat për gjëra më të mëdha. Kadriu në ditët e para të nëntorit është pjesë e panairit të Koleksionit të Mjeteve Historike Retro “N’gaz”.Makina e tij e modelit Lotus të më shumë se 40 viteve më parë qëndron përpara Muzeut Historik Kombëtar në anën e majtë.Është lehtësisht e dallueshme; është e vogël, ngjyrë portokalli e ndezur dhe ngjason me një makinë garash.

Idea për këtë makinë u ka lindur më shumë se 10 vite të shkuara, tre vite pas projektit të parë. Shkëndijën fillestare Kadriu e mori nga një videoklip në televizor ku makina e ëndrrave u shfaq vetëm për 3 sekonda, ishte në ngjyrë jeshile.
Makina ka përfunduar dhe ka marrë formën e asaj që publiku ka parë në Sheshin “Skënderbei” vetëm 10 ditë më parë.

Kjo makinë ka nisur vetëm me profile hekuri; disa profile që blihen në treg të zakonshëm e nga aty ka nisur shasia.Locost është emri i makinës, të cilën e ka prodhuar Lotusi në vitet 1964-1965. Asokohe kanë qenë makina garash dhe shumë të apasionuarit i kanë rikthyer sepse janë makina shumë të thjeshta për tu realizuar në kushte shtëpie. Pasi kanë kaluar mbi 40 vite nga prodhimi që do të thotë e kanë humbur të drejtën e copyright, e kanë bërë projektin publik. Të gjithë kanë mundësi ta marrin këtë projekt përmes internetit, ta shohin e ta realizojnë.