Pajisje me NIPT e vetëdeklarim online/ Karburanti për fermerët, si përfitohet

396

Me një fond limit prej rreth 792 mln lekë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur procedurën e prokurimit publik për blerjen e  karburantit për përdorim nga fermerët në sektorin e bujqësisë. Kompanitë e interesuara do të kenë afat deri në datën 11 janar për të dorëzuar ofertat e tyre, ndërkohë që në dokumentet e tenderit përcaktohen dhe procedurat e sakta sesi do të funskiojnë kjo skemë. Më konkretisht, thuhet se përfitues do të jetë çdo fermer që ka tokë, në pronësi apo me qera dhe që e punon atë, teksa fillimisht duhet të pajiset me NIPT sipas procedurave aktuale, që nuk e ngarkojnë fermerin me asnjë lloj detyrimi fiskal. Më pas duhet të bëhet aplikimi online për mbështetje për naftën bujqësore.

Ky aplikimi do të bazohet në vetëdeklarim, ku çdo fermer do të deklaroje kulturat që ka mbjellë (nëse janë shumëvjecare) apo që do të mbjellë (nëse janë kulturat njevjecare) për çdo parcelë të verifikuar tokë që ka në pronësi apo me qera. Më pas llogaritet sasia e naftës që i duhet për ato sipërfaqje dhe kultura të deklaruara, në bazë të një normative të miratuar për punime tipike me mekanizim, e cila do të ketë të detajuar sasinë e naftës së kërkuar për kultura të ndryshme, bazuar në tipologji punimesh me mekanikë bujqësore. Ndërkohë që, për atë sasi nafte që i duhet fermerit, sipas deklarimit që ka bërë, llogaritet vlera e barrës fiskale që do të përjashtohet. Kjo vlerë e përjashtuar konvertohet në sasi litrash nafte që do t’i jepen fermerit falas. Pra, për atë vlerë që do të duhej të zbritej nga çmimi i naftes, fermeri përfiton sasinë e barazvlefshme të naftës falas.

Paralelisht, ai do të pjisjet pranë Ministrisë së Bujqësisë me një kartë, që do t’i vihet këtij dikasteri në dispozicion nga kompania që do të fitojë tenderin. Pas pajisjes me kartë, furnizimi i fermerëve përfitues do të bëhet në pikat e karburanteve që operatori ekonomik disponon, ndërkohë që sipas kritereve të tenderit,  në mënyrë që të mbulohet shërbimi i ofrimit të karburantit pranë fermerëve përfitues, operatori ekonomik duhet të ketë të paktën në çdo bashki stacion të tregtimit me pakicë të karburanteve. Skema do të nisë aplikimin në vitin 2021, ndërkohë që kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale iu ka bërë thirrje fermerëve të pajisjen me NIPT, si kushti bazë për të përfituar.