Poli i ri i Tiranës/ Pazarit të Ri, 43 % e bizneseve rritje, prona 30-40 % më e lartë

29

Tirana është identifikuar gjithmonë me disa “ishuj” ku frekuentimi është mesatarisht më i lartë sesa në pjesën tjetër të qytetit d.m.th. ish-Blloku dhe Sheshi Skënderbej, të dy për arsye të ndryshme.

Listës së këtyre pikave i është shtuar disa kohë më parë ajo që njihet si zona TID Tirana, e mishëruar në projektin e Pazarit të Ri.

Bashkëpunimi i AADF-së, Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë shqiptare bëri që zona të ndryshonte krejtësisht pamje dhe menaxhim. Kësaj iniciative më pas i janë bashkuar bizneset e zonës, të cilat kanë investuar rreth 7.7 milionë USD. Shifër kjo e angazhuar në biznese të reja dhe në ato ekzistuese. Investimi i lartëpërmendur është reflektuar dhe në tregues të tjerë.

Sipas rezultateve të pyetësorit të realizuar në muajin shkurt 2018 nga shoqata TID Tirana, në zonën e Pazarit të Ri 43% e bizneseve të anketuara pohuan se kanë pasur shitje më të larta dhe 31% e tyre këto rritje në shitje i kanë pasur me mbi 50%. 41% e bizneseve kanë pasur vlera të shitjeve në nivele të njëjta dhe vetëm 16% kanë patur shitje më të ulëta.

Një ndër indikatorët më të rëndësishëm të projektit është frekuentueshmëria. Rekordi i regjistruar arriti shifrën e 15 000 vizitorëve në ditë” shkruhet në relacionin e projektligjit “për Përmirësimin e Zonave të Biznesit” që është depozituar në Kuvend.

Në relacion jepen detaje të asaj çfarë ka ndodhur në zonën e Pazarit të ri të Tiranës.

Referuar relacionit, investimi në zonën e Pazarit të Ri duket se ka dhënë efektet e tij edhe në rritjen e vlerës së pronës, e cila, sipas referimeve të Bashkisë Tiranë është 30-40 % më e lartë.

Në total në hapësirën në fjalë operojnë rreth 374 biznese, nga të cilat 168 ushtrojnë aktivitetin tek markata e fruta-perimeve. Brenda Pazarit operojnë 68% e bizneseve dhe 32% ndodhen jashtë tij. Tipologjia e bizneseve është e shumëllojshme. Sipas shifrave zyrtare, 54.2 % e tyre janë shitës ushqimorë (bulmet, fruta-perime, peshk etj.) 16.5% e tyre janë biznese të tjera joushqimore dhe 17.5% janë kryesisht restorante, kafe apo takeaëay (merr me vete).