Pr.ligji/ Ndryshohet procedurat për birësimin e fëmijëve, më shumë lehtësi e siguri dhe më pak burokraci

22

Ndryshimet e propozuara në projektligjin për kushtet ligjore dhe procedurat e birësimit të fëmijëve synojnë të ofrojnë zgjidhjet më optimale që garantojnë interesin e tij më të lartë, si dhe nevojës së fëmijës për tu rritur dhe edukuar në një mjedis familjar sa më të përshtatshëm për mirëqenien e tij, kur familja biologjike nuk ka mundësi t’i ofrojë një mjedis të tillë.

Ministria e Drejtësisë, në kuadër të përmirësimit të legjislacionit dhe me direktivat e Bashkimit Europian ka përgatitur me një grup të mirënjohur ekspertësh të fushës, ndryshimet e kushteve ligjore dhe procedurave të birësimit të fëmijëve, për të krijuar më shumë lehtësi, më shumë siguri dhe më pak procedura burokratike, duke mbajtur në konsideratë interesin më të lartë të fëmijës.

Të dy projektligjet janë hedhur në konsultim publik.

Qëllimi i projektligjit për ndryshimet e kushteve ligjore dhe procedurave të birësimit të fëmijëve është rregullimi në legjislacionin shqiptar i kushteve ligjore dhe procedurave që kanë të bëjnë me kushtet e birësimit lidhen kryesisht me moshën e birësuesit dhe të birësuarit dhe diferencën e moshës ndërmjet tyre, me statusin martesor të birësuesit, me dhënien e pëlqimit për birësim nga palët e përfshira në birësim, si birësuesi, bashkëshorti i tij nëse aplikon për të birësuar vetëm njëri nga bashkëshortët, prindërit e fëmijës dhe vetë fëmija, me përcaktimin e fëmijës si i birësueshëm, me përshtatshmërinë e aplikantit birësues për tu kujdesur për rritjen dhe edukimin e fëmijës që do të birësohet, me ndalimin e ribirësimit, mungesën e lidhjeve gjinore ndërmjet birësuesit dhe të birësuarit, si edhe me përfundimin e kujdestarisë mes palëve.

Nisur nga disa mangësi të neneve të Kodit të Familjes, që lidhen me birësimet, por edhe të disa prej problemeve të evidentuara në praktikën e punës së institucioneve të përkujdesjes sociale dhe të gjykatave u përpoq ti jepej zgjidhje me ndryshimet ligjore të vitit 2015 të nenit 250.

Megjithatë, pesë vjet pas këtyre ndryshimeve rezulton akoma që mekanizimi i deklarimit të braktisjes nuk është funksional, duke mos garantuar interesin më të lartë të fëmijës dhe duke i mbajtur fëmijët “peng” në institucionet sociale deri në mbushjen e moshës madhore, pa mundësuar kthimin e tyre pranë familjes biologjike ose të afërmve të tjerë dhe pa mundësuar, nga ana tjetër, vendosjen e tyre pranë një familjeje birësuese.

Po ashtu qëllimi i projektligjit “Për procedurat e birësimit dhe komitetin shqiptar të birësimit”, të ndryshuar” është nevoja për përmirësimin e procedurave dhe afateve të cilat do të lehtësojnë procesin e birësimit duke mundësuar një familje për fëmijët e shpallur të braktisur.

Përmes ndryshimeve të propozuara në këtë projektligji, synohet të ofrohet  zgjidhje ndaj problematikave që kanë të bëjnë me: deklarimin e  braktisjes së fëmijëve; kushtet e përgjithshme dhe të posaçme të birësimit; harmonizimin e ligjeve të zbatueshme në rastin e birësimit me elementë të huaj;aspektet organizative të vetë këtij institucioni.

Të gjitha ndryshimet e propozuara mundësojnë që brenda një periudhe të shkurtër të mund të zgjidhet çështja e nisjes së procedurave të birësimit sidomos për fëmijë në moshë të vogël. Kjo do të shmangte qëndrimin në institucion të fëmijës për një kohë të gjatë në pritje të marrjes së tij nga familja biologjike. Nga ana tjetër kjo pritje bëhet shumë e gjatë kur familja biologjike, nuk bën asnjë përpjekje për fuqizimin e saj ose  shfaq interes të pakët për fëmijën.