Gazeta prestigjoze franceze “Le Figaro” i ka kushtuar një artikull të gjatë Shqipërisë dhe atraksioneve turistike që Shqipëria ofron.
“Le te jemi te sinqerte. Çfarë dimë për Shqipërinë? Dimë pak për periudhën e e diktaturës komuniste, për mercedesin e vjetër, bunkerët e shumtë dhe ndoshta njohin shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare… Kaq dimë. Shqipëria është shumë më tepër se kaq, është 2000 vjet histori, kultura, qytetet antike dhe peisazhet e larmishme.
Në veri janë malet dhe luginat e thella, në qendër qytetet e zhvilluara. Në perëndim kryeqyteti aktiv, Tirana. Në jug, bregdeti dhe plazhet e tij, pjesa më e frekuentuar nga turistët.
Shqipëria është një nga gurët e çmuar më të mirë të Adriatikut. Pasi kaloni Vlorën mund të shijoni Detin Jon. Para syve tuaj, gjire të vegjël, ujëvara dhe fshatra në majë të kodrave. Jo, nuk është Greqia, por Riviera Shqiptare, 100 km vijë bregdetare, limane të fshehura dhe zona arkeologjike. Grekët, Romakët dhe Bizantinët ishin vendosur atje. Turistët tani vijnë të shijojnë plazhin.
Dhërmi, “Perla e bregdetit”. Kështu e quajmë ne. Me këtë kuptojmë: ujë të pastër, plazhe me guralecë dhe bare pothuajse në ujë. Dhërmi është një nga vendpushimet më të njohura bregdetare. Ka infrastrukturë cilësore dhe një territor përrallor. Një avantazh tjetër: vija bregdetare është e gjatë. Rreth teje, mali, ai i vërtetë, kap majat mbi 2000 metra. Dhërmi është bregdet, por edhe një qytet i vjetër. Ngjituni atje lart dhe shëtisni pak. Aty do të gjeni rrugë me kalldrëm, shtëpi prej guri, pemë fiku, hardhi dhe trëndafila të lulëzuar. Fshati ka më shumë se 30 kisha ortodokse, duke përfshirë Manastirin e Panagia, të vendosur në kodër. Brenda, afreske të bukura të shekullit të 16-të.
Plazhi i Gjipesë është një nga më të bukurit në Shqipëri. 400 metra guralecë, ujë të pastër dhe shkëmbinj përreth. Ideale për not, natyrë përreth dhe qetësi. Një kanion mbresëlënës. Ju mund ta eksploroni atë në këmbë në liri të plotë derisa të gjendeni të bllokuar nga shkëmbinjtë dhe bimësia.
Zyrtarisht, Porto Palermo meriton një vizitë më vete. Nga lart, duket si një ishull, i rrumbullakët dhe i mbështjellë me ujë të pastër. Nga poshtë, të fton për not dhe eksplorim. Është një gji i bukur dhe i paprekur. Porto Palermo citohet rregullisht ndër destinacionet më të bukura në Evropë.