PROFIL/ Njihuni me 40 firmëtarët e aktit të Pavarësisë, shpallën Shqipërinë shtet sovran

152

Shqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 Nëntor 1912.

Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare dhe 40 prej tyre nënshkruan Aktin e Pavarësisë.

Ismail Qemal bej Vlora (1844-1919)

Firmosi i pari Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Ismail Kemal”. Në deklaratë shkruhej ; “Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/ 1912. Pas fjalëve që tha z.Kryetari Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një za venduan që Shqipëria më sot të bahet në vehte, e lirë e mosvarme”.

Ismail Qemal bej Vlora u zgjodh kryeministër Qeverisë së Përkohshme. Më 22 janar 1914 jep dorëheqjen dhe pushtetin ja dorëzoi Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Largohet nga Shqipëria për në Itali ku edhe vdes në rrethana të dyshimta më 24 janar 1919.

Dom Nikollë Kaçorri (1862-1917)

Gjatë kryengritjes së Kurbinit 1905-1907, hyri si ndërmjetës midis popullsisë dhe administratës osmane. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908) dhe në Kongresin e Elbasanit (1909). Përfaqësues i krahinës së Durrësit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës ku u zgjodh nënkryetar i qeverisë së përkohshme. Firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Kaçorri”.

Vehbi Dibra Agolli (1867-1937)

Mori pjesë në vitin 1909 në Kongresin e Dibrës, mbështeti alfabetin me shkronja latine të Kongresit të Manastirit. Më 28 nëntor 1912 në krye të delegatëve të Dibrës, merr pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës ku u zgjodh kryetar i Pleqësisë. Ka luajtur rol të rëndësishëm në organizmin e kryengritjes shqiptare të vitit 1913 kundër pushtimit serb në zonën e Dibrës.

Jorgji Karbunara – Bab Dud Karbunara (1842-1917)

Jorgji Karbunara ishte përfaqësues i Beratit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “J. Karbunara”. Në këtë Kuvend, ai u zgjodh anëtar i Pleqësisë. Njihej për hapjen e shkollave shqipe në Berat.

Elmas Boce (1850-1925)

Mori pjesë në organizimin e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1880. Ndihmoi hapjen e shkollës shqipe të Gjirokastrës “Lirija”. Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Elmas Boce”

Qazim Kokoshi (1882-1945)

Zgjidhet delegat i Vlorës në Kuvendin e Gërçes në vitin 1911. Merr pjesë në kuvendin e Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Qazim Kokoshi”. Në vitin 1921, zgjidhet deputet i qarkut të Vlorës në Këshillin Kombëtar. U arrestua dhe vdiq në burg pas 1944-s.

Jani Minga (1872-1947)

Ishte ndër nismëtarët e hapjes së klubit patriotik “Labëria” dhe të shkollës së parë shqipe në Vlorë (1908). Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “J. Minga”.

Rexhep Mitrovica (1888-1960)

Mori pjesë si delegat i Pejës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe ishte njeri nga nënshkruesit e deklaratës së Pavarësisë. Një nga themeluesit e Partisë Kombëtare (1914), anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. U zgjodh senator i Kosovës në Këshillin Kombëtar të Lushnjes.

Dhimitër Tutulani (1875-1937)

Në nëntor të vitit 1912, zgjidhet delegat i Beratit në Kuvendin historik të Vlorës, ku nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë, me siglën “Dh. Tout.”. Në vitin 1918 ishte delegat në Kongresin e Durrësit dhe në vitin 1920 në Kongresin e Lushnjes. Në vitin 1925 ishte kryetar i Bashkisë së Beratit.

Abas Dilaveri (Çelkupa) (1850 – 1926)

Gjatë viteve 1905-1907 u lidh dhe bashkëpunoi me Dom Nikoll Kaçorrin. Priti në Durrës Ismail Qemalin e më pas, bashkë me delegatët që e shoqëronin atë, mori pjesë në mbledhjen e parë Kuvendit të Vlorës. Delegat i Durrësit, Deklaratën e Pavarësisë, e firmosi me siglën “Abas Dilaver”.

Shefqet Dajiu (1882-1946)

Në nëntor të vitit 1912, zgjidhet si përfaqësues i Elbasanit në Kuvendin historik të Vlorës për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Shefqet Daji”. Në vitet 1920-1923 është deputet i Elbasanit në parlamentin shqiptar. U arrestua dhe vdiq në burg në vitin 1946.

Xhelal Koprencka (1876-1919)

Nismëtar për hapjen e shkollave shqipe në vitin 1908 në Skrapar. Zgjidhet delegat i Skraparit në Kuvendin e Vlorës dhe ishte një nga 40 firmëtarët. E firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Xhelal Ko.”. Zgjidhet anëtar i Pleqësisë.

Hajredin Cakrani (1860-1940)

Në vitet 1908-1909, bashkëpunoi ngushtë me klubet atdhetare “Labëria” të Vlorës dhe të Filatit. U zgjodh delegat i Mallakastrës në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor të vitit 1912, ku firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Hajredin Cakrani”. Pjesëmarrës në luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë.

Iljaz Vrioni (1882-1932)

Në nëntor të vitit 1912 zgjidhet delegat i Beratit në Kuvendin historik të Vlorës, ku nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë, me siglën “Iljas Vrijon”. Në vitin 1920, zgjidhet delegat i Beratit në punimet e Kongresit të Lushnjës. Katër herë Kryeministër i Shqipërisë dhe disa herë  Ministër i Jashtëm dhe si Ministër i Plotfuqishëm i Shtetit Shqiptar në Paris.

Murad Toptani (1867-1918)

Poet, publicist. Mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912 si delegat i Tiranës dhe firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Murad Toptani”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës, Esat Pashë Toptani (kushëri i tij), i dogji shtëpinë dhe një pjesë të madhe të pasurisë së tij që ndodhej brenda saj si: libra, korrespondencën, antikuarë.

Luigj Gurakuqi (1879-1925)

Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908), ku u zgjodh edhe anëtar komisioni për njehsimin e alfabetit. Pjesëmarrës në kryengritjen e malësorëve të Mbi Shkodrës dhe bashkë hartues me I. Qemalin i Memorandumit të Greçës. Gjatë vitit 1912, ishte ndër organizatorët e kryengritjes së përgjithshme. Në Kuvendin e Vlorës për shpalljen e pavarësisë, si përfaqësues i Shkodrës, firmosi Deklaratën e Pavarësisë nën siglën “Luz Gurakuqi”. Ministër i Arsimit në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris. Deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar dhe përsëri përfaqësues i Shkodrës në Kuvendin Kushtetues në vitin 1924. Ministër i Financave në qeverinë e Nolit. U vra në Bari në 2 mars 1925.

Spiridon Ilo (1876-1950)

Shoqëroi Ismail Qemalin në udhëtimin Trieste-Durrës-Vlorë. Merr pjesë në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Spiro T. Ilo”. Në vitin 1914, përfshihet në çetën e Themistokli Gërmenjit në luftimet kundër shovinistëve grekë.

Thanas Floqi (1884-1945)

Jurist, gjuhëtar, botues, kompozitor. Mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Thanas V. Floqi”. Më pas punoi si jurist në administratën shtetërore në Vlorë.

Lef Nosi (1873-1946)

Në nëntor 1912 ishte delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Lef Nosi”. Në qeverinë e Ismail Qemalit, Lef Nosi caktohet në detyrën e ministrit. Anëtar i delegacionit shqiptar pranë Konferencës së Paqes në Paris. Në vitin 1945 u burgos dhe dënua me vdekje. U pushkatua në vitin 1946.

Nuri Sojliu (1870-1940)

Mbështeti Kongresin e Elbasanit dhe atë Manastirit, ku mbështeti alfabetin latin të gjuhës shqipe. Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Strugës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Nuri”.

Ferit Vokopola (1887-1967)

Teolog dhe ekonomist. Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Lushnjes në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “M. Ferit Vokopola”. Ferid Vokopola ishte përfaqësues i Beratit, në Parlamentin shqiptar nga viti 1923-1939. Ministër i Bujqësisë në kabinetin e Iljaz Vrionit (1927-1928).

Ymer Deliallisi (1873-1944)

Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Shijakut në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Ymer”. Në vitin 1920, përfaqëson nënprefekturën e Shijakut në Kongresin e Lushnjes, ku edhe zgjidhet senator.

Xhemal Deliallisi (1880-1941)

Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Shijakut në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Xhemmalyyddin bej”. Ngarkohet me detyra në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës dhe më pas në administratën e Princ Vidit.

Mustafa Merlika Kruja (1887-1958)

Si delegat i Krujës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912, firmosi Aktin e Pavarësisë kombëtare, me siglën “Mustafa Asim Kruja” ku u zgjodh dhe anëtar i Pleqësisë. U caktua nënprefekt në Vlorë dhe më pas sekretar i parë i Qeverisë së I. Qemalit. Më 1919 ishte sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Ishte deputet i Kosovës në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1921. Pas ardhjes së komunizmit u detyrua të arratisej. Mustafa Kruja vdiq në SHBA më 27 dhjetor 1958, në moshën 71-vjeçare.

Abdi Toptani (1864-1942)

Në vitin 1902 organizoi kryengritjen e armatosur të malësorëve të Shëngjergjit e të Shupalit kundër administratës osmane. Në Kuvendin e Vlorës ai firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Abdi”. U zgjodh ministër i Financave në Qeverinë e parë shqiptare.

Veli Harçi (1850-1914)

Veli Harçi ishte veprimtar i klubit patriotik të qytetit, ai përfaqësoi Gjirokastrën në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Veli Harçi”.

Nebi Sefa (1861-1942)

Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1911 dhe 1912. Në nëntor të atij viti u zgjodh delegat i Lushnjes për në Kuvendin e Vlorës ku nënshkroi Aktin e Pavarësisë me siglën “Nebi Sefa Lushja”. Në vitet `20 përkrahu kursin politik të ndjekur prej forcave fanoliane.

Mit’hat Frashëri (1880-1949)

Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, më 1908 ku u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit. Në Kuvendin e Vlorës, Frashëri ishte delegat i Elbasanit dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Mid’hat Frashëri”. Në qeverinë e Ismail Qemalit zgjidhet ministër i Punëve të Përgjithshme. Në janar 1923 fillon detyrën e ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë, deri në dhjetor 1925. Më 1941 është një nga themeluesit e Organizatës Nacionaliste – Balli Kombëtar. U detyrua në nëntor 1944 të largohet nga Shqipëria bashkë me gjermanët. Vdiq në New York, SHBA, më 3 tetor 1949.

Zihni Abas Kanina Hamzaraj (1885-1957)

Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1911. Në Kuvendin e Vlorës, si delegat i Vlorës, firmosi në Aktin e Pavarësisë me siglën “Zihni Abbas Kanina”. U zgjodh drejtor i përgjithshëm në ministrinë e Punëve të Jashtme. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Kanina u bë pjesë e Ballit Kombëtar, përkrah Mit’hat Frashërit. Në vitin 1951 u arrestua dhe u burgos. Vdiq, më 1957.

Qemal Karaosmani Elbasani (1875-1949)

Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Elbasanit në kuvendin e Vlorës dhe u caktua të shoqëronte Ismail Qemalin nga Durrësi për në Vlorë. Firmosi Aktin e Pavarësisë kombëtare, me siglën “Qemal Elbasani”. Mbështeti qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes dhe për disa vite ishte asamblist.

Sali Gjuka (1876-1925)

Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1910-1912. Si përfaqësues nga Kosova dhe delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, mori pjesë në shpalljen e pavarësisë kombëtare dhe firmosi Aktin me siglën “Salih Gjuka”. U zgjodh këshilltar i Pleqësisë. Në janar 1913 filloi punën si drejtor i arsimit për qarkun e Beratit.

Dhimitër Berati (1888-1970)

Firmosi Aktin e Pavarësisë së 28 nëntorit 1912, nën siglën “D. Beratti”, si delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Berati u emërua sekretar i kryetarit të Qeverisë, anëtar i Pleqësisë si dhe u caktua drejtor i përgjithshëm në gazetën e qeverisë së Vlorës. Në Konferencën e Paqes më 1919 ishte delegat i shqiptarëve të Bukureshtit.

Dhimitër Mborja Emanoil (1884-1945)

Më 28 nëntor 1912, firmos Aktin e Pavarësisë me siglën “Dh Emmanuel” në emër të kolonisë së Bukureshtit. Në shkurt 1915 zgjidhet këshilltar pranë shoqërisë së “Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit”. Më 1924 mbështet qeverinë e Nolit. Ishte kundër rregjimit komunist.

Dimitër Zografi (1878-1945)

U zgjodh delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit për të marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912 firmosi vendimin e Pavarësisë me siglën “Dimitri Zografi”. Anëtar i Pleqësisë. Kundërshtoi vendimet e padrejta të Konferencës së Parisit në kurriz të popullit shqiptar dhe firmosi protesta drejtuar kryesisë së saj në qershor 1919.

Pandeli Cale (1879-1923)

Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1910 – 1912 drejtoi çetat e zonës së Korçës. Merr pjesë në mbledhjen e Bukureshtit të 5 nëntorit 1912 dhe shoqëron Ismail Qemalin për në Shqipëri. Më 28 nëntor 1912, si delegat i Korçës, firmos Aktin e Pavarësisë me siglën “Pandeli Cale”. Zgjidhet anëtar i qeverisë së parë shqiptare. Merr pjesë aktive në lëvizjen patriotike që çoi në Kongresin e Lushnjes më 1920. Po atë vit ishte Prefekt i Korçës, ndërsa në shkurt 1921 deputet në të parin parlament shqiptar.

Bedri Pejani (1885-1946)

Delegat në Kongresin e Dytë të Manastirit (1910) dhe sekretar i Komitetit të Kosovës (1918-1924). Në nëntor 1912, mori pjesë si përfaqësues i Plavës, Gucisë, Gjakovës dhe Pejës në mbledhjen e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Bedri Pejan”. Në vitin 1943 ishte nga nismëtarët për krijimin e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” dhe deri në vitin 1944 kryetar i saj. Pas luftës u arrestua dhe vdiq sapo doli nga burgu, në 1946.

Qemal Mullaj (1881-1966)

Në nëntor 1912 mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës dhe firmosi Aktin e shpalljes së Pavarësisë me siglën “Qem. Mullaj”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës dhe me nisjen e Luftës i Botërore u largua nga Shqipëria. U kthye në atdhe rreth vitit 1920, për t’u rimarrë përsëri me politikë. Deputet në parlamentin e parë shqiptar.

Dr. Myrteza Ali Struga (Dibra) (1876-1937)

Në nëntor të vitit 1912, Dr. Myrteza Ali Struga, së bashku me Zyhdi Ohrin dhe Nuri Sojliun u zgjodhën delegatë të Ohrit e Strugës për në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Dr. H. Myrteza Aliu”. Përsëri si përfaqësues i Ohrit e Strugës ishte delegat në Kongresin e Lushnjës më 1920.

Aristidh Ruci (1875-1950)

Merr pjesë në kryengritjen e përgjithshme më 1911. Ishte delegat i Vlorës në Kuvendin që shpalli pavarësinë dhe firmosi Aktin me siglën “A. Ruci”. U zgjodh anëtar i kryesisë së Bankës Kombëtare Shqiptare më 1937.

Zyhdi Ohri (1872-1938)

Në vitet 1898-1900 u përfshi në veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare të Pejës. Në nëntor 1912, i zgjedhur nga Ohri si delegat, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Zuhdi Ohri”. Ishte pjesë e Senatit të dalë nga qeveria e Ismail Qemalit. Në janar 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës.