Projekti 5 milionë euro, Ballkani miraton zhvillimin e rrugëve të përbashkëta të turizmit

105

Grupi i Ekspertëve të Turizmit të Evropës Juglindore së fundmi ka miratuar një plan të përbashkët për krijimin e rrugëve rajonale të turizmit kulturor dhe aventurës, për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Marrëveshja se si do të formësojmë ofertën rajonale të turizmit është një hap i rëndësishëm përpara, në krijimin e produkteve të përbashkëta turistike që do të vlerësojnë dhe integrojnë trashëgiminë e pasur kulturore dhe natyrore të Ballkanit Perëndimor”,bëri me dije Snjezana Dervizkadic, Udhëheqëse e Ekipit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për Projektin për Zhvillimin dhe Promovimin e Turizmit.

Sipas projektit, janë rishikuar dhe miratuar konceptet e zhvillimit për identitetin rajonal ombrellë “Ballkani Perëndimor – udhëkryqi i qytetërimeve” dhe një rrugë të veçantë turizmi duke u fokusuar në artin dhe hartimin e 38 monumenteve të jashtëzakonshme të Luftës së Dytë Botërore. Konceptet paraprakisht përfshijnë disa nga monumentet më të spikatura nga perandoritë romake, bizantine, osmane dhe austro-hungareze.

Takimi i 8-të gjysmëvjetor u zhvillua nën kujdesin e Projektit për Zhvillimin dhe Promovimin e Turizmit, i cili zbatohet nga RÇ i zbatuar dhe i financuar nga Bashkimi Europian (BE).

Projekti për Zhvillimin dhe Promovimin e Turizmit, me vlerë 5 milionë euro, ka për qëllim  zhvillimin dhe promovimin e ofertës së përbashkët të turizmit kulturor dhe aventurës, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe infrastrukturës, si dhe për të rritur numrin e turistëve, të ardhurave dhe punësimit në industrinë e turizmit në rajon.