Projekti/ Ambiente rekreative dhe shëtitore, si do të transformohen Llixhat e Dibrës

74

Fondi Shqiptar i Zhvillimit informon lidhur me projektin e rehabilitimeve në Dibër. Me kërkesën e Bashkisë Dibër, në kuadër të zhvillimit të rajoneve dhe në vazhdim të disa projekteve për Ripërtëritje Urbane, ky projekt synon rehabilitimin dhe zgjidhjen përfundimtare të problematikave të krijuara.

Kjo pasi më herët, zona në fjalë paraqitej e pa sistemuar dhe nje gjendje kaotike. Përgjatë përroit grumbulloheshin materiale inerte të hedhura dhe mbeturina urbane. Mungesa e investimeve në këtë zonë prej kohësh ishte kthyer në pengesë për zhvillimin e saj, duke nënvizuar këtu potencialet e mëdha turistike të pashfrytëzuara si duhej.

Në prani të ndërhyrjes ndodhet dhe kompleksi i llixhave të Peshkopisë. Ujërat termale të njohura për aftësite kurative të tyre, si dhe për interesin që kanë pacientet për t’u kuruar në këtë qendër” njofton FSHZH.

Për zhvillimin e këtij projekti janë parashikuar 3 ndërhyrje:

1-Sistemimi i përroit të llixhave

Ndërhyrja ka të bëjë me sistemimin e përroit te llixhave, duke ndërtuar një sistemim me mure gabioni përgjatë gjithë gjatësisë. Sistemimi i kanalit është krijuar në dy zona në lartësi të ndryshme bazuar dhe në studimet hidrologjike për prurjet.

Zona e parë me lartësi 3m përbëhet nga nje mur gabioni të vazhduar dhe që  konturon një kanal me gjerësi 8m. Zona e dytë është me lartësi 2 m dhe është llogaritur që për pjesën më të madhe të vitit të jetë e shkelshme nga njerëzit pra të ketë dhe rolin e një zone rekreative, pasi është menduar të jetë e gjelbëruar.

2- Ndërtimi i shëtitores përgjatë përroit

Ndërhyrja e dytë konsiston në krijimin e nje shëtitoreje përgjatë përroit te llixhave. Kjo shëtitore eshte projektuar me gjerësi 3m dhe eshte e parashikuar te jete e shtruar me pllaka guri. Përgjatë shëtitores është parashikuar të ketë ndriçim dhe gjelbërim të lartë.

3- Ndërtimi i ambienteve rekreative përgjatë shëtitores

Për të rritur shërbimin dhe favorizuar turizmin në zonë është konceptuar ndërtimi i disa ambienteve për tregtim të produketeve vendase dhe mobilimi urban përgjatë shëtitores. Këto të fundit do të jenë konstruksione të përkohshme të ndërtuara nga elementë druri.

Gjithashtu edhe elementët urban do të jenë kryesisht prej elementë druri ku do të ketë stola, kosha për mbeturinat, apo edhe vendqëndrime për frekuentuesit e kësaj shëtitoreje. Elementet e drurit janë parashikuar të lyhen me bojë për të rritur performancën e tyre ndaj faktorëve atmosferik apo agjentëve të ndryshëm të cilët do të veprojnë mbi këto elementë.

Ndër të tjera synohet realizimi i një projekti estetik, me kujdes të shtuar që në përzgjedhjen e materialeve të ndërtimit, në mënyrë që të përshtatet më së miri me qëllimin e ndërtimit të tij, të ruajtjes së identitetit dhe funksionalitetit në këtë zonë të mbrojtur, për të shtuar kështu dhe numrin e turistëve dhe vizitorëve.

Në fund të shëtitores do të ndërtohet edhe në shesh, i cili do tu japë edhe një fund rrugicave. Ndërtimi i tij do të konsistojë në këto pika: 1. Shtrimi i sheshit 2. Gjelbërimi 3. Mobilimi 4. Ndriçimi