Projekti që ndryshon thelbësisht qytetin e Çorovodës

27

”Rikualifikimi i qendrës, markatës dhe mbrojtjes lumore të qytetit të Çorovodës Faza II” është vijimi i projektit dhe objektivave për të realizuar rikualifikimin dhe rivitalizimin për të gjithë qendrën e Çorovodës, sheshin qendror dhe hapësirave përreth saj.

Elementët e ndërhyrjes në fazën e dytë janë:

  1. Rivitalizimi i hapësirës së parkut ekzistues dhe krijimi i një sheshi të ri në ndërthurje me të
  2. Rikonstruksioni i fasadave të Pallatit të Kulturës
  3. Trajtimi i hapësirës përreth Pallatit të Kulturës

Në vijim të konfigurimit të ri të akseve rrugore dhe trajtimit të Sheshit “Riza Cerova”, hapësira e parkut ekzistues dhe ish markatës, që pozicionohen pas Pallatit të Kulturës kanë paraqitur nevojën për tu rikualifikuar, pasi funksiononin si dy hapësira të shkëputura nga njëra tjetra dhe  në një gjendje të degraduar për sa i përket aksesimit, shtrimit dhe detajeve të tjera të arredimit urban. Trajtimi ndërmjet dy hapësirave nuk duhet të perceptohet si një ndarje, por si një integrim dhe ndërthurje ndërmjet tyre, ndërmjet ekzistueses dhe konceptit të ri, me funksione të përbashkëta dhe në shërbim të njëra tjetrës, duke krijuar kështu një shesh të ri në hapësirën publike në të cilin përfshihet edhe parku ekzistues.

Në sheshin e ri do të krijohen hapësira dhe funksione të ndryshme të tilla si hapësira e amfiteatrit, kënd rekreacioni për fëmijë, kënd për lojëra në tavolina, që ofron mundësi argëtimi edhe për të moshuarit, kënd qëndrimi e pushimi, parkim për bicikletat, basen ujore me shatërvan, tarraca të gjelbëruara, kopshte tematike, si kopshti i lavandrës, etj. Aksesi kryesor për sheshin e ri të krijuar, do të jetë nga hyrja e madhe ekzistuese, hyrja e Ish markatës që gjendet ndërmjet dy hapësirave. Përgjatë të gjithë hapësirave të trajtuara është konceptuar një sistem i ri ndriçimi, me ndriçim perimetral të tipit të shtyllave me një krah të orientuar nga aksi rrugor.

Pallati i Kulturës, i pozicionuar në sheshin qendror “Riza Cerova” është një objekt i konceptuar dhe projektuar në vitet ’60 dhe përfaqëson një objekt të një rëndësie të veçantë si në aspektin e trashëgimisë kulturore, arkitektonike dhe një memorie kolektive, duke qenë pjesë e identitetit të qytetit. Gjatë rikualifikimit të sheshit, objekti është trajtuar vetëm me disa ndërhyrje të pjesshme, kryesisht lyerje, por nuk është zhvilluar rikonstruksioni i plotë i fasadave.

Në këtë projekt paraqesim ndërhyrjet që nevojiten për të zhvilluar rikonstruksionin e plotë të fasadave. Objektivi për rikonstruksionin e fasadave të objektit janë jo vetëm ruajtja dhe mirëmbajtja e një objekti të tillë, por edhe kthimi në identitet i saj, e trajtuar në harmoni me kontekstin përreth.

Pas trajtimit të sheshit “Riza Cerova” dhe hapësirës përpara Pallatit të Kulturës në fazën e parë, hapësira që gjendej pas saj dhe hapësira në relat me Xhaminë, nuk ishin trajtuar. I gjithë territori përreth Pallatit të Kulturës nevojitet të trajtohet dhe të rivitalizohet, duke krijuar një potencial të ri.

Hapësira do të trajtohet me hapësira të gjelbërta, shtrim të itinerareve të përshkimit, elementë të arredimit urban dhe ndricim. Gjithashtu është planifikuar hapësira për parkimin e bicikletave.

Mbrojtja lumore

Mbrojtja nga lumi Osum që do të ndërtohet i shërben komunitetit të qytetit Corovodë dhe ndërtimit të markatës afër thertores. Mbrojtja do të ndërtohet në një zonë të qetë, mbi një taracë lumore në afërsi të lumit të Osumit. Nga një vështrim në vite i shtratit të lumit Osum vihet re se ai ka ndryshuar drejtim duke ndjekur edhe shfrytëzimin e shtratit për inerte. Lumi në këtë pjesë edhe pse ka qenë i mbrojtur me penela përsëri ato janë dëmtuar nga vjedhja e gurëve ose koha e gjatë e investimit. Për shkak të problemeve sociale dhe sigurisë publike që shkakton vërshimi i lumit në ditët me reshje përbën problem për banorët e zonës dhe objektet që ndodhen afër lumit.

Në zgjidhjen teknike të projektit janë marrë parasysh të gjitha problemet e konstatuara. Gjithashtu meqënëse mbrojtja e rrugës së re Corovodë – Buzuq është me mur me gabiona për të ruajtur uniformitetin është bërë zgjidhje teknike me mur me gabiona 1.0m x 1.0m x1.0m me tel me trashësi 4.5mm2 dhe do të bëhet gjithashtu një shtrese betoni për të lidhur murin.

Kjo fazë e dytë në qytet e cila përfshin investim dhe ndërhyrje në një sërë elementësh synon përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve dhe kthimin në një qendër atraktive edhe për vizitorë.