Qeveria ndalon me ligj hyrjen e fëmijëve nën 14 vjeç në sallat e internetit dhe lojërave online

39

Këshilli i Ministrave me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kanë ndërmarrë disa masa të rëndësishme për mbrojtjen e fëmijëve nga aksesi në përmbajtje të paligjshme apo të dëmshme në internet.

Ligji parashikon që në subjektet tregtare, që ofrojnë shërbimin e internetit për të tretë ose lojëra on-line, ndalohet hyrja e fëmijëve nën moshën 14 vjeç, të pashoqëruar nga të paktën njëri prej prindërve të tyre, kujdestari apo i afërm madhor, me lidhje të afërt familjare me fëmijën.

Ky detyrim duhet të afishohet në mënyrë të dukshme në hyrje të subjektit tregtar që ofron shërbimin e internetit ose lojëra on-line.

Kujdestari i fëmijës apo i afërmi që shoqëron fëmijën, nënshkruan, para se t’u ofrohet shërbimi, formularin tip, që përcaktohet nga Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës. Në rast se nuk nënshkruhet ky formular, fëmijës nuk i ofrohet shërbimi i internetit ose i lojërave on-line.

Gjithashtu do të kontrollohen mjediset e institucionit arsimor parauniversitar, publik ose privat, dhe konstatohet nëse një fëmijë është duke aksesuar përmbajtje të paligjshme dhe/ose të dëmshme për moshën e tij.