Raporti global i emocioneve, shqiptarët më pozitivët në Ballkan

79

Sipas studimit më të fundit të Gallup,  ndonëse jetojnë në një ndër shtetet më pak të zhvilluara të Europës, shqiptarët dinë të shijojnë jetën dhe nuk u mungojnë emocionet e mira.

Raporti “Emocionet Globale 2018”, nxjerr Shqipërinë si një ndër vendet më pozitive në botë, me 51% të personave që përjetojnë më shumë ndjesi pozitive se negative, për vitin e shkuar.

Vendi ynë renditet në vendin e 50 në listën e më pozitivëve në botë, nga 145 ekonomi të studiuara.

Studimi i ndërmarrë nga Gallup, priret të fokusohet pikërisht në sjelljet e njerëzve të një vendi dhe bazohet në pyetjet që iu janë bërë njerëzve kudo në botë rreth respektit për të tjerët dhe vetes, çfarë mësojnë dhe a u intereson ajo, a qeshin shpesh, a shijojnë ditët e jetës së tyre çdo ditë etj. Ndërsa për të kapur ndjesitë negative pyetjet bazoheshin në dhimbjet e përjetuara, shqetësimet, stresi etj.

Shqipëria është ndër më pozitivet në rajon. Kryeson me 51% të shfaqjes së pozitivitetit në jetën e përditshme, ndiqet nga Maqedonia me 47 %, Mali i Zi 46 %, Serbia me 42 %, Bosnja dhe Hercegovina me 41 % dhe Kosova me 41%, e listuar në fund.

Ndërsa Greqia jonë fqinje rezulton në nivelet më të stresuara në të gjithë botën, me rreth 66% të të intervistuarve që pohojnë se kanë përjëetuar stres ditëve të fundit.